Anglezët nisin gjuetinë për yllin e Interit

Futboll

Anglezët nisin gjuetinë për yllin e Interit

Më: 21 qershor 2023 Në ora: 18:43
Interi

Nikolo Barela është vendosur në shë njestrën e Premier Ligës dhe Interi ka filluar të trembet. Kampionati anglez është kampionati konkurrues ku lojtarët fitojnë më shumë, niveli i skuadrave kompetitive është shumë i lartë dhe tundimi për çdo lojtar është po ashtu i tillë.

Mesfushori fiton 5 milionë euro plus bonuset tek Interi, por të gjithë e dinë mirë se në Angli mund të shkojë minimalisht në 10 milionë euro rrogë, një shumë e pamundur për t’u mbërritur në Serinë A dhe nga zikaltrit.

Jo vetëm kaq, por në skenë për Barelën janë një sërë emrash të mëdhenj të futbollit anglez, të cilët pa dyshim që mund ta joshin më shumë lojtarin se Njukasëlli. Liverpuli i Jyrgen Klopit ka qenë prej shumë kohësh adhuruesi i Nikolos dhe është i pari në listën e fansave të lojtarit, me Çelsin dhe Mançester Junajtidin që pasojnë “të kuq”.

Edhe pse nën urdhrat e Klopit është vendosur Aleksis Mek Alister dhe “djajtë e kuq” janë për momentin të fokusuar te Mejson Maunt, të dyja klubet, bashkë me Çelsin që ka tashmë një tryezë të shtruar me zikaltrit, presin vetëm një lëshim të vogël terreni nga këta të fundit.

Situata është lënë momentalisht në heshtje, por udhëtimet e shpeshta të agjentit të Barelës, Alesandro Beltrami drejt Anglisë nuk kanë kaluar pa u vënë re.

Edhe pse Barela konsiderohet si një nga shtyllat e skuadrës, Interi vështirë se do t’i thoshte jo një oferte që i kalon 80 milionë eurot dhe në Milano e dinë mirë se klubet angleze nuk do ta kishin problem një shumë të tillë. Në ndihmë të zikaltërve, për të qenë stoikë në kërkesat e tyre, vjen edhe vullneti i vetë lojtarit.

26-vjeçari është shprehur gjithmonë mbi lidhjen e tij me fanellën dhe mbi faktin që e shikon veten si flamur të klubit, edhe pse gjithçka mund të ndryshojë kur në tryezën e tij të mbërrijnë çeqe me shuma që nëse qëndron në Itali mund të mos i mbërrijë asnjëherë.

Për momentin topin e ka Interi dhe presidenti Zhang, që duhet të tregojnë se mund t’i thonë jo edhe ofertave të larta, për atë që konsiderohet si simboli i interizmit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat