Si është situata te klubi Kukësi?

Futboll

Si është situata te klubi Kukësi?

Më: 22 qershor 2023 Në ora: 18:14
Kukësi

Praktikisht klubi i Kukësit është i gjithi në “ajër”.

Një merkato që ndodh vetëm në një sens, asaj në dalje dhe nga ana tjetër nuk diskutohet për të zyrtarizuar ndonjë afrim.

“Senatorët” e sezonit të kaluar u larguan të gjithë nga skuadra, duke lënë një boshllëk të madh në ekip dhe vështirë se mund të rikuperohen me afrimet që do të bëhen në ditët në vijim.

Një situatë që ka gjetur të papërgatitur vetë drejtuesit, që aktualisht kanë punuar vetëm për të negociuar prishjen e kontratave me lojtarët që i kanë pasur më shumë se njëvjeçare dhe që nuk shiheshin më si pjesë e klubit.

Nëse largimi i “senatorëve” ndodhi thuajse në bllok, pasi të dyja palët nuk ranë dakord për vijimin e bashkëpunimit, në Kukës janë ende edhe katër lojtarë të tjerë, për të cilët nuk dihet se si do të vijohet me të ardhmen. Bëhet fjalë për futbollistë që kanë qenë pjesë e rëndësishme e formacionit dhe që kanë një kontratë afatgjatë. Portieri Angelo Tafas dhe mesfushori Abdou Mbarak janë të lidhur me klubin deri në verën e vitit 2025, praktikisht edhe për dy sezone të tjera. Ndërsa sulmuesi Atdhe Rashiti dhe mbrojtësi Franko Lamçe kanë kontratë edhe për tri sezone të tjera, deri në vitin 2026.

Praktikisht, këta lojtarë nuk mund të largohen dot pa lejen e klubit dhe nga ana tjetër klubi nuk i largon dot pa një marrëveshje, sepse është kontrata ajo që i mban të lidhur.

Mbetet për t’u qartësuar në vijim edhe e ardhmja e tyre, nëse do t’i bashkohen grupit të të larguarve apo pikërisht nga ky bosht do të rindërtohet Kukësi i së ardhmes. E gjitha do të varet edhe nga financat e klubit, pasi kuptohet që në tri sezonet e fundit verilindorët vetëm kanë shpenzuar pafund dhe mospjesëmarrja në Kupat e Europës ka bërë një “gropë” financiare.

Ndonëse këta katër futbollistë nuk kanë qenë ndër më të paguarit në klubin e Kukësit, sërish kanë një kosto financiare që mund të rëndojnë arkat e klubit. Për momentin lojtarët janë, duke vijuar pushimet dhe ende nuk flitet për ndonjë takim me drejtuesit për të negociuar kushtet e kontratës, por sigurisht bëhet fjalë për një çështje që pritet të sqarohet në ditët në vijim. Ndoshta, edhe kjo katërshe do të ketë fatin e të larguarve të tjerë nga ekipi i Kukësit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat