​Liga U21, ankohen klubet: S’jemi gati, do të na shkaktojë telashe financiare

Futboll

​Liga U21, ankohen klubet: S’jemi gati, do të na shkaktojë telashe financiare

Më: 25 qershor 2023 Në ora: 10:18
Foto ilustrim

Federata e Futbollit të Kosovës i ka urdhëruar klubet e Superligës që ta krijojnë edhe skuadrën e grupmoshave U21.

Një vendim i tillë po konsiderohet i ngushtshëm nga drejtuesit e klubeve të Superligës, për shkak se atyre do t’ua rëndojë gjendjen financiare dhe për më tepër edhe nuk i kanë kushtet infrastrukturore që kjo ligë ta zhvillojë aktivitetin.

Drejtori gjeneral i Prishtinës, Artan Osmani u shpreh se megjithëse në aspektin sportiv ky është një hap i mirë, kjo do t’iu shkaktojë telashe financiare klubeve, sepse sipas tij, nevojitet angazhim shtesë i stafit të trajnerëve dhe lojtarëve.

Osmani: Krijimi i kësaj lige do të na shkaktojë telashe financiare

“Në aspektin praktik dhe sportiv është ide e mirë, por në aspektin logjistik dhe të organizimit dhe kapacitetit të klubeve për ta pasur edhe një skuadër shtesë është mjaftë e vështirë. Sa i përket Prishtinës, ne e kemi një grup të lojtarëve të rinj që i kemi angazhuar me kontrata vitin e kaluar, me kontrata më afatgjata, numë ri konsiderueshëm i lojtarëve që ne shpresojmë t’i inkuadrojmë edhe të U21-shat edhe një pjesë të kalojnë nga U19-shat. Ajo që na shkakton problem është pjesa e shtabit teknik. Ne duhet të vendosim nëse do t’i përdorim trajnerat e njëjtë që i kemi me shtesa tjera, me punë ekstra, apo duhet të marrim staf shtesë. Në parim ne jemi të interesuar stafin ekzistues ta motivojmë më shumë dhe ta mbulojmë edhe atë pjesë sepse përndryshe angazhimi i stafit të ri na shkakton probleme financiare.”, tha Osmani.

Megjithëse, kanë nisur punën për krijimin e skuadrës U21, në vështirësi po hasin edhe te skuadra e Gjilanit. Drejtori sportiv, Drilon Sylejmani u shpreh se mungesa e infrastrukturës është problemi më i madh që ata kanë.

Sipas tij, do të jetë shumë e vështirë që të gjendet hapësirë që kjo grupmoshë të stërvitet në fushën sportive që ata e kanë në dispozicion.

Sylejmani: Po e krijojmë skuadrën U21, por kemi telashe infrastrukturore

“Ne kemi nisur përgatitjet për krijimin e ekipit U21 qe një kohë pasi që kemi marrë një urdhëresë nga Federata e Futbollit të Kosovës që këtë vit do të jetë obligative krijimi i ekipit U21. Duhet të jemi të sinqertë, natyrisht se po hasim në vështirësi, kryesisht shkaku i infrastrukturës pasi që nuk kemi terene të mjaftueshme sportive për t’i zhvilluar seancat stërvitore dhe ndeshjet si ekip vendas kur jemi. Megjithatë, ne jemi duke u përgatitur, duke u bërë gati për edicionin e ri, kemi grumbulluar lojtarët. Së shpejti do ta kemi një takim edhe me koordinatorin e shkollës së futbollit për ta përcaktuar njërin nga trajnerët se kush do ta udhëheq këtë grupmoshë në mënyrë që të jemi sa më të gatshëm para fillimit të edicionit të parë të grupmoshave U21.”, tha Sylejmani.

Duke parë këto probleme, që kanë klubet me financa dhe infrastrukturë, drejtori i Prishtinës i bëri thirrje FFK-së që ta shtyje këtë vendim për vitin tjetër.

Osmani: Do të ishte mirë që ky vendim i FFK-së të shtyhet edhe për një vit

“Ne jemi duke insistuar që të bëhet shoqata e klubeve që kur të kemi situata të tilla të mbledhemi të gjitha klubet dhe ta kemi një qëndrim të përbashkët. Mendoj që federata duhet ta konsiderojë të paktën edhe për një vit ta shtyjë edhe ta kompletojë procesin. Të shihen cilat janë përparësitë dhe cilat janë të metat, nëse nuk është obligative... Kështu që kjo do të jetë ngarkesë, në parim është dashur të takohen klubet dhe të japin një mendim, nëse shumica e klubeve janë për ta shtyrë edhe për një afat, atëherë duhet t’ia bëjmë kërkesë federatës që të shtyhet.”, theksoi Osmani.

Por, krejt ndryshe mendon trajneri i Llapit Tahir Batatina. Ai deklaroi se kjo ide e federatës është shumë e mirë pasi klubet. Sipas tij, vetëm pas një viti, klubet do t’i korrin benefitet e kësaj lige, duke ulur përgjysmë shpenzimet për blerjen e lojtarëve.

Batatina: Liga U21 e mirë se ardhur për futbollin kosovar

=“Kjo është e përballueshme, klubet mund të kenë vështirësi në vitin e parë, por vitin e dytë do të jetë shumë e favorshme për klubet. Nuk kanë nevojë klubet tona dhe ne të shkojmë të kërkojmë lojtarë jashtë dhe t’i paguajmë nga dy mijë apo tre mijë euro, nuk kemi nevojë, sepse nuk kanë cilësi më shumë kur kemi mundësi të marrim lojtarë kualitativ në Ligën e Kosovës, djem më potencial, t’iu japim hapësirë talentëve tanë t’i zhvillojmë dhe ata automatikisht ia ulin koston Llapit për 50 për qind. I kam lojtarët unë që do t’i përgatis nga U119, U21, nga shkolla dhe nga vet skuadrat tona kosovarë, do të thitë kemi mundësi ta ulim koston për 50 përqind”, tha Batatina.

Kp kontaktoi edhe me drejtues të klubeve të tjera të Superligës së Liria, Fushë Kosova, Malisheva dhe Ballkani dhe se cila prej tyre ka shfaqur pakënaqësi me krijimin e kësaj lige, duke konsideruar se nuk janë kushtet adekuate për krijimin dhe zhvillimin e kësaj lige.

Nga ana tjetër, nga ana e FFK-së, ende nuk janë zbuluar detaje për mënyrën e funksionimit të kësaj lige si dhe kohën apo oraret e zhvillimit të ndeshjeve të saj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat