Asllani merr garanci

Futboll

Asllani merr garanci

Më: 28 qershor 2023 Në ora: 12:09
Asllani

Kristjan Asllani nuk mund të jetë një rezervë luksi. Organizatori shqiptar, i cili i kushtoi Interit 14 milionë euro (plus 2 milionë të tjera bonuse), nuk ka mbetur shumë i kënaqur nga minutazhi i marrë në sezonin e kaluar. 579 minuta të ndara në 20 prezenca në Serinë A janë fare pak për një lojtar me talentin e tij. Jo më kot shumë skuadra të elitës italiane janë të interesuara që ta bëjnë të tyrin, qoftë edhe në huazim 21-vjeçarin e ardhur nga Empoli.

Por fatmirësisht për të, duket se goli spektakolar në sfidën eliminatore ndaj Ishujve Faroe ka ndryshuar disa gjëra. Goli, që për më tepër u zgjodh më i miri i javës edhe nga UEFA, ka qenë një reklamë e duhur, një zile zgjimi për drejtuesit e Interit dhe sidomos të trajnerit Simone Inzagi, për të kujtuar dhe kuptuar se çfarë cilësish ka në dispozicion dhe që nuk mund të lihen kurrsesi në harresë.

Prandaj, duke parë se jemi edhe në sezonin e merkatos, vetë Kristjan Asllani ka dashur të kuptojë diçka më shumë mbi të ardhmen e tij, konkretisht se cili do të jetë roli i tij në skuadër në vazhdim.

Dhe mesa duket, talenti kuqezi ka marrë më në fund një përgjigje pozitive, një garanci nga ana e trajnerit, por edhe e drejtuesve të klubit se është pjesë e rëndësishme e Interit dhe pa dyshim që nga sezoni i ardhshëm do të ketë një minutazh më të rëndësishëm.

Kjo do të thotë se Kristjan Asllani mund t’i kalojë pushimet e verës i qetë, pa u turbulluar edhe nga zërat e mundshëm të merkatos, duke qenë se Interi nuk ka ndërmend që ta huazojë askund, por edhe vetë 21- vjeçari nuk kërkon të largohet nga Interi.

Ai la Empolin për të luajtur shanset e tij dhe të tregojë se është i denjë për një fanellë titullari, aq më tepër tashmë që edhe Marselo Brozoviç ka hapur një hapësirë të rëndësishme në formacion, teksa pritet të zyrtarizohet tek Al-Nasr.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat