Al-Ittihad bind edhe “yllin” e kampionëve

Futboll

Al-Ittihad bind edhe “yllin” e kampionëve

Më: 2 korrik 2023 Në ora: 11:40
Nuno Espirito Santos

Klubet arabe nuk po kursehen aspak në këtë merkato verore, duke firmosur me emra të rëndësishëm. Që po të mos ishte për milionat e shumtë që përfitojnë, as që do e mendonin ndonjëherë të transferoheshin në futbollin saudit.

Gjithsesi, realiteti i ri në futboll i përket sheikëve. Dhe futbollistë të rëndësishëm po firmosin kontrata të majme, me shumicën prej tyre që do të shijojnë një “pension” luksi në Arabinë Saudite.

Kampionët në fuqi, Al-Ittihad, të cilët kanë siguruar emra si Karim Benzema dhe Ngolo Kante, po tentojnë edhe blerjen e Jota-s nga Celtic. Me kërkesë të veçantë të Nuno Espirito Santos.

Trajneri i Al-Ittihad e vlerëson shumë sulmuesin e majtë, i cili fitoi titullin, Kupën e Skocisë dhe Kupën e Ligës me skuadrën historike skoceze.

24-vjeçari i dalë nga akademia e Benfikës, ka zhvilluar bisedime intensive me trajnerin, njëkohësisht bashkëpatrioti i tij.

Akordi është arritur në parim, zyrtarizimi do të vijë në ditët e ardhshme. Ndërkohë që Celtic do të përfitojë 30 milionë euro nga shitja e Jota-s.

Për kartonin e të cilit investoi vetëm 7.5 milionë euro gjatë verës së kaluar. Jota ka shënuar 28 gola në dy sezonet e kaluara në “Celtic Park”, aty ku është idhull i tifozëve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat