Drejt sezonit të ri, pak shpresë për investime në stadiume

Futboll

Drejt sezonit të ri, pak shpresë për investime në stadiume

Më: 2 korrik 2023 Në ora: 13:17
Foto ilustrim

Më pak se dy muaj kanë mbetur deri te fillimi i edicionit të ri të Superligës së Kosovës në futboll dhe shpresa për të parë infrastrukturë dhe stadiume më të mira është shumë e vogël.

Pothuajse të gjitha stadiumet e klubeve të Superligës kanë nevojë për investime, por në asnjë prej tyre nuk pritet të intervenime konkrete brenda këtij viti.

Në gjendje më të rënduar janë dy skuadrat gjilanase, Drita dhe Gjilani, që vazhdojnë t’i zhvillojnë ndeshjet në fusha me barë sintetik për shkak se stadiumi i qytetit tashmë pothuajse është bërë jofunksional.

Drejtori i Drejtorisë së Sportit në Komunën e Gjilanit, Kushtrim Zeqiri, thotë për KosovaPress se tashmë është kontraktuar një kompani që do ta hartojë projektin e stadiumit dhe pas kësaj, punimet mund të fillojnë pas rreth tre muajve.

Zeqiri: Brenda dy apo tre muajve nisin punimet në stadiumin e Gjilanit

“Pas ndërprerjes së kontratës që ka qenë edhe nga kryetari dhe nga ministri i kulturës për të ndërprerë punën me kontraktuesin e më hershëm rreth stadiumit të qytetit për shkak të tejkalimit të pozicioneve dhe parregullsive që janë gjetur, atëherë ministria në vazhdimësi e ka kontraktuar një kompani tjetër për hartimin e projektit prej aty ku ka mbetur deri tek përfundimi se si duhet të duket realisht ky projekt i stadiumit të ri i cili i përket kategorisë 4B. Ne jemi duke pritur...që të dorëzohet projekti në ministri nga kjo kompani, e që pastaj Ministria e Kulturës do ta tenderojë këtë projekt për ekzekutim...Shpresojmë që brenda dy apo tre muajve të fillojë puna nga aty ku ka mbetur.”, thotë Zeqiri.

Megjithëse, është në gjendje më të mirë se stadiumet tjera, për investime ka nevojë edhe stadiumi “Zahir Pajaziti” në Podujevë, aty ku ndeshjet i zhvillon skuadra e Llapit. Trajneri i kësaj skuadre, Tahir Batatina thotë vendosja e reflektorëve është ajo që mund të bëhet ende pa filluar sezoni i ri, po kërkon që të investohet edhe në mbulojën e tribunave të stadiumit.

Batatina: “Zahir Pajaziti” do të bëhet me ndriçim dhe tribuna të mbuluara

“Llapi do të fillojë shumë shpejt, veç se ka përfunduar projektin, është dorëzuar projekti në federatë, është miratuar nga federata për ndriçim dhe presim që ditët në vazhdim të fillojnë punimet rreth ndriçimit në stadiumin “Zahir Pajaziti” që në sezoni i ardhshëm Llapin ta gjej me reflektorë dhe të fillojë t’i luajë ndeshjet me reflektorë...Kemi biseduar edhe me ministrin Çeku që ka nevojë stadiumi “Zahir Pajaziti”, ta ketë mbulojën sepse shikuesit do të duan t’i shohin ndeshjet në mbrëmje edhe në kohën kur ka reshje shiu që mos t’i pengojë. Ministri na premtoi që do ta bëjë një gjë të tillë...Është në projekt që tri tribunat të mbulohen dhe tribuna perëndimore do të jetë edhe me një kat më lartë, ku do të jenë të vendosura media, gazetarët lartë dhe pjesa VIP.”, thotë Batatina.

E një lajm shpresëdhënës sa i përket kësaj çështje erdhi të enjten e javës së kaluar që prek direkt stadiumit olimpik “Adem Jashari”, në Mitrovicë, i kthyer tashmë në një gërmadhë. Qeveria e Kosovës në mbledhjen e 29 qershorit ka marrë vendim për të ndarë 3.2 milionë euro, buxhet ky i cili sipas ministrit të Financave, Hekuran Murati, do të hapë rrugën për fillimin e punimeve në këtë stadium.

Murati: Me 3.2 milionët e ndara hapet rruga për fillimin e punimeve në stadiumin “Adem Jashari”

“Projekti i renovimit të stadiumit “Adem Jashari” ka vite që ka filluar por për shkak të pengesave dhe problemeve puna ka qenë e ngecur dhe tani përfundimisht kemi lëvizje pozitive me angazhimin e Ministrisë për Kulturë, Rini dhe Sport dhe njëra nga pikat e radhës kishte të bënte me shpronësimin e disa prej pronave private që ndodhen pikërisht në zonën ku pritet të bëhet rinovimi dhe me zgjidhjen e këtyre problemeve hapet mundësia që punimet të fillojnë, e jo të vazhdojnë dhe për këtë arsye është e nevojshme që të ndahen kjo shumë buxhetore për vitin aktual në mënyrë që të ketë vijim të punëve, pra në vlerë prej 3.2 milionë eurove në kuadër të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit për projektin specifik, renovimin e stadiumit “Adem Jashari”, ka thënë Murati.

Megjithëse, është folur për kohë të gjatë, KosovaPress mëson se gjatë këtij viti nuk pritet të ketë intervenime në stadiumin “Fadil Vokrri”. Fat të njëjtë do ketë edhe kampioni i Kosovës, “Ballkani”, pasi nuk është paraparë ndonjë intervenim në stadiumin e qytetit në Suharekë, ndërkohë që në stadiumin “Liman Gegaj”, në Malishevë po punohet në rregullimin e tribunave.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat