Perishiq i befason të gjithë

Futboll

Perishiq i befason të gjithë

Më: 6 korrik 2023 Në ora: 19:42
Perishiq 

Ivan Perishiq do të largohet nga Tottenhami. 

Pikërisht një vit pasi u transferua tek ekipi londinez nga Interi.

Edhe pse ka edhe një vit kontratë me Spurs, një ndër lojtarët më të rëndësishëm të kombëtares kroate ka zgjedhur të ndërpresë bashkëpunimin me klubin e Premier League.

Sky Sports shkruan se 34-vjeçari do të vijojë karrierën me Hajdukun e Splitit, skuadrën e tij të zemrës.

Sulmuesi i majtë, u rrit në akademinë e Hajdukut, por nuk ia doli kurrë të debutonte me ekipin e parë.

Pasi sulmuesi anësor u shit nga Hajduku U17 te Sochaux për shumën 360 mijë euro në verën e vitit 2006.

Dëshirë që do t’i plotësohet më fund. 17 vite më parë erdhi transferimi në Francë. Më pas aventurat me Roeselare dhe Club Brugge (Belgjikë).

Në vitin 2011 hodhi hapin e madhe duke firmosur me Borussia Dortmund në Bundesliga. Më pas Wolfsburgu, Interi, Bayern Munchen dhe Tottenhami.

Perisic numëron 127 ndeshje dhe 33 gola me kombëtaren e Kroacisë. Gjatë karrierës së tij ka fituar disa tituj kampionë (Dortmund, Inter, Bayern). Me bavarezët shijoi edhe trofeun e Champions League (2020).

“I kam premtuar vetes shumë kohë më parë se do të kthehem te Hajduku.

Kalova shtatë vjet atje, pa mundur të debutoja në një ndeshje zyrtare.

Rikthimi im duhet të ndodhë. Do të jetë së shpejti, megjithëse nuk e di saktësisht se kur”, deklaronte Perisic kohë më parë.

Momenti po vjen dhe është gati të rikthehet në shtëpi, të debutojë me Hajdukun dhe të luftojë për fitimin e titullit kampion me skuadrën me të cilën bën tifozllëk që fëmijë.

Trofe që në qytetin e bukur kroat dhe te një ndër tifozeritë më të zjarrta në Europë, mungon prej vitit 2005.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat