Leonardo: Për të mirën e PSG-së, Mbappe duhet të largohet

Futboll

Leonardo: Për të mirën e PSG-së, Mbappe duhet të largohet

Më: 10 korrik 2023 Në ora: 14:41
Leonardo dhe Mbappe

Ish-drejtori sportiv i Paris Saint-Germainit, Leonardo e ka dhënë mendimin e tij rreth situatës së krijuar me Kylian Mbappen.

Braziliani e kishte luajtur një rol kyç në bindjen e Mbappes që ta nënshkruajë vazhdimin e kontratës me PSG-në në vitin 2022 para se ta lironte pozitën e tij në fund të sezonit 2021/22.

Por, tash ish-përfaqësuesi brazilian mendon se për të mirën e të gjithëve, nënkampioni i botës duhet të largohet nga “Parc des Princes”.

“Për të mirën e PSG-së, është koha që Mbappe të largohet, nuk ka lidhje se si. PSG-ja ekziston para Mbappes dhe do të ekzistojë edhe pa të. Ai ka qenë në klub për gjashtë vjet dhe në këtë periudhë pesë ekipe e kanë fituar Ligën e Kampionëve pa Mbappen”, deklaroi Leonardo në një intervistë për “L’Equipe”,.

Mbappe dëshironte t’i bashkohej Real Madridit në vitin 2022, por më pas e vazhdoi kontratën me parisienët për dy vjet, derisa madrilenët mbetën të frustruar dhe u ndien të tradhtuar.

Mirëpo, tash lojtarit i ka mbetur vetëm edhe një vit kontratë, deri më 2024 dhe klubi francez po planifikon ta shesë atë qysh këtë verë, për të mos e humbur pa para vitin tjetër, duke e pasur parasysh faktin se ai nuk po pranon ta shfrytëzojë opsionin e vazhdimit për një vit të kontratës, deri më 2025.

PSG-ja nuk e ka ndërmend të heq dorë nga lojtari i saj kryesor për një shumë më të ulët se 200 milionë euro, ndërsa krahas Realit, interesim për ish-futbollistin e Monacos kanë shprehur edhe dy klubet angleze, Liverpooli dhe Arsenali. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat