Presidenti i Ballkanit: Këtë klub do ta çojmë lartë e më lartë

Futboll

Presidenti i Ballkanit: Këtë klub do ta çojmë lartë e më lartë

Më: 11 korrik 2023 Në ora: 08:40
Arsim Kabashi

Presidenti i klubit të futbollit “Ballkani”, Arsim Kabashi, ka premtuar se do të punojë fuqishëm që kjo skuadër të vazhdojë në rrugën e sukseseve si në futbollin vendor ashtu edhe në atë evropiane.

Përmes një shkrimi në Facebook, Kabashi ka thënë se sezoni i kaluar nuk ishte aspak i lehtë, por mbështetja e madhe nga të gjithë bëri që të arrihet objektivi për ta mbrojtur titullin e kampionit të Kosovës, raporton KosovaPress.

Ai ka shtuar se puna në rritjen e Ballkanit nuk do të ndalet dhe se kjo do të dëshmohet nga dita në ditë, derisa skuadra e Ilir Dajës e nis sot rrugëtimin në Ligën e Kampionëve, ku do të përballet me Ludogoretsin në Prishtinë.

Ja postimi i plotë i Arsim Kabashit në “Facebook”:

Të dashur qytetarë të Suharekës, tifozë të zjarrtë Xhebraila dhe gjithë ju mbështetës të FC Ballkanit nga mbarë vendi.

Sezoni që shkoi nuk ishte aspak i lehtë, i luftuar deri në fund, por që me mbështetjen e secilit dashamirë të skuadrës tonë historike, ia dolëm të arrijmë objektivin primar që kishim, shpalljen kampion në Superligën tonë shtetërore.

Titulli i dytë radhazi, padyshim që ktë gjithëve na ka dhënë ndjenjë gëzimi, por assesi nuk na ka dhënë ndjenjën e vetë-mjaftueshmërisë. Përkundrazi e ka rritur etjen për suksese të tjera, të cilat do të nisim t’i ndjekim menjëherë, që nga kampanja e Evropës, Superkupa e Republikës dhe kompeticionet tjera që nisin në edicionin e ardhshëm.

Jam i nderuar të jem njëri prej akterëve të përfshirë në sukseset historike të klubit tonë të zemrës, në të cilat secili nga ju e ka vendin e vetë, pasi pa përkrahjen dhe mbështetjen gjithëpërfshirëse, s’do të ishim ku jemi sot.

Andaj të bashkuar drejt qëllimeve të përbashkëta, do të vazhdojmë edhe më tutje, për ta dërguar Ballkanin tonë, lartë e më lartë.

Nesër po e fillojmë rrugën e Evropës, të motivuar e me moral të lartë.

Faleminderit të gjithëve, nga mbështetësit në tribuna, futbollistëve, stafit teknik, bashkëpunëtorëve dhe gjithë shqiptarëve kudo ndodhen. Na priftë e mbara.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat