Struga gati për të përjetuar emocionet në Champions League

Futboll

Struga gati për të përjetuar emocionet në Champions League

Më: 11 korrik 2023 Në ora: 11:01
Struga

Gjithmonë e ka një herë të parë dhe tani, Struga është bërë gati për të përjetuar emocionet që fal Champions League.

Skuadra e Shpëtim Duros do të debutojë në kualifikueset e kompeticionit më të rëndësishëm për klube në kontinentin e vjetër dhe do të mas forcat me Zalgiris, me ndeshjen e parë që luhet në Lituani.

SuperSport/DigitAlb ka siguruar të drejtën e transmetimit, duke sjell për të gjithë abonetët skuadrën e shqiptarëve të Strugës në këtë ndeshje sa historike, por edhe të rëndësishme.

8 vite histori mund të duken shumë pak, por Struga ka njohur gjithmonë progres dhe tashmë është gati për të bërë realitet një ëndërr të madhe dhe oër të çuar në peshë mijëra zemra kuqezi.

Sezonin e kaluar, skuadra e shqiptarëve të Strugës ia doli të triumfonte në Maqedoninë e Veriut duke shijuar titullin e parë kampion në histori, ndërsa gjithçka nisi gjatë verës, me prezantimin e parë në kupat e Europës edhe pse, Struga u mjaftua me vetëm 180 minuta në kualifikueset e UEFA Conference League përballë Liepaja-s.

Shumë gjëra kanë ndryshuar, ndonëse kanë kaluar vetëm 12 muaj, me skuadrën që ka lëvizur në merkato duke sjell emra të rëndësishëm dhe me eksperiencë, ndërsa një “aset” i vyer është edhe trajneri Shpëtim Duro.

Në krahun tjetër, Zalgiris ka “peshkuar” përsëri një skuadër shqiptare këtë sezon, pasi një vit më parë, lituanezët eliminuan në kualifikueset e Champions-it skuadrën dardane, Ballkanin.

Ajo çfarë duhet theksuar, është fakti se, Zalgiris është në aktivitet të rregullt në Lituani dhe “bardhëjeshilët” janë në vendin e dytë në kampionat pas 21 javësh.

Ata janë kampionët në fuqi dhe jo vetëm, por janë 10 herë kampion të Lituanisë, madje me tre tituj kampion radhazi dhe në vitet e fundit janë pjesëmarrës të rregullt në kupat e Europës, çfarë ka rritur ndjeshëm jo vetëm vlerën e klubit, por edhe kreditet e saj.

Suksesi i tyre më i madh në tokën europiane i takon edicionit të kaluar, me skuadrën që siguroi fazën e grupeve të Conference League, por e mbylli në vendin e fundit.

Skuadra e drejtuar nga Cheburin prezantohet në këtë përballje pas një ecurie shumë pozitive, me 8 ndeshje radhazi pa humbje, me 4 fitore radhazi, ndërsa vlera e skuadrës përllogaritet në afro 8 milionë euro.

Diferencat mbeten në letër, sepse në fushën e lojës gjithçka zerohet dhe skuadra e shqiptarëve të Strugës do të provojë ta nis më këmbën e duhur, sepse një fillim i mbarë është gjysma e punës.

Zalgiris-Struga do të keni mundësi ta ndiqni live dhe ekskluzivisht në “SuperSport 2” duke nisur nga ora 18:00.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat