​Humb jetën tifozja Braziliane pasi u godit me një shishe qelqi

Futboll

​Humb jetën tifozja Braziliane pasi u godit me një shishe qelqi

Më: 11 korrik 2023 Në ora: 23:00
Foto ilustrim

Një minutë heshtje do të mbahet në ndeshjet e ligës së lartë të Brazilit në nderim të një tifozeje që vdiq pasi u godit nga një shishe qelqi jashtë një stadiumi.

Tifozja e Palmeiras, Gabriela Anelli, 23 vjeçe, ishte duke pritur në radhë jashtë stadiumit “Allianz Parque”, në Sao Paulo të shtunën kur një shishe qelqi u hodh në drejtim të saj gjatë një përleshjeje mes tifozëve të Palmeiras dhe Flamengo.

Ajo pësoi një prerje në qafë dhe vdiq në spital dy ditë më vonë.

“Faleminderit të gjithëve që u lutën për motrën time”, tha vëllai i saj.

“Ajo shkoi të jetojë me Zotin në parajsë”, shtoi Felipe Anelli në Instagram.

Ednaldo Rodrigues, president i Konfederatës Braziliane të Futbollit (CBF), tha se ai po punonte me qeverinë federale dhe organet e tjera përkatëse për të ndalur "episodet e tilla kriminale dhe të trishtueshme të ndodhin përsëri".

Një minutë heshtje do të mbahet në të gjitha ndeshjet e xhiros së 15-të të kampionatit brazilian për nder të Anellit, njoftoi Rodrigues.

“Futbolli është pasion dhe jo hapësirë për veprime të kriminelëve”, tha ai.

Gjatë përleshjes, policia gjithashtu u sulmua me shishe qelqi.

Sulmuesi brazilian i Arsenalit, Gabriel Jesus ishte në mesin e atyre që i bëri homazhe Anellit, duke e quajtur incidentin "një ditë të trishtuar për futbollin brazilian".

“Gabi ishte vetëm 23 vjeç dhe kishte një jetë të tërë përpara, e cila përfundoi nga dhuna në stadiume”, shkroi Jesus në Twitter. “Të reflektojmë dhe të bashkohemi për përfundimin e kësaj dhune. Dhe Zoti e ngushëlloftë familjen e Gabit...”

Palmeiras “shpreh solidaritetin” me familjen e Anellit, duke thënë: “Nuk mund të pranojmë që një vajzë 23-vjeçare të jetë viktimë e barbarisë në një mjedis që duhet të jetë argëtues”.

Flamengo shkroi në Twitter: "Në një rast që duhet të ishte një mosmarrëveshje thjesht sportive, një grua e re humbi jetën në një mënyrë barbare dhe të pajustifikueshme që meriton të ndëshkohet në mënyrë rigoroze".

Një zëdhënës i policisë tha të hënën se personi përgjegjës për hedhjen e shishes është arrestuar dhe do të akuzohet për vrasje të qëllimshme./BBC/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat