Kërkon mesfushorin që u ble për 80 milionë euro nga Reali

Futboll

Kërkon mesfushorin që u ble për 80 milionë euro nga Reali

Më: 12 korrik 2023 Në ora: 15:23
Leon Gorecka

Bajerni i Mynihut është i dëshpëruar në kërkimin e një qendërsulmuesi për sezonin e ardhshëm, por ndërkohë duhet të bëjë llogaritë edhe me mesfushën, duke qenë se Leon Gorecka është shndërruar në një problem dhe mesa duket kërkon që të lërë këtë verë kampionët e Bundesligës.

Lajmet e para e afrojnë Goreckën me Borusian e Dortmundit, siç ka ndodhur pak vite më parë me mbrojtësit Mats Humels dhe Niklas Zyler, ndonëse në lojë për muskulozin e mesfushës janë në lojë edhe Liverpuli e Arsenali.

Por në pritje sesi do të shkojnë bisedimet mes Goreckës dhe klubeve të tjera, bavarezët janë hedhur në kërkim të një profili të ri në moshë dhe të talentuar, për të shtuar edhe më shumë freskinë dhe përzgjedhje e trajnerit Tomas Tuhel është Aurelien Tçuomeni.

Futbollisti që Reali i Madridit ia bleu Monakos për shifrën e çmenduri të 80 milionë eurove, plus 20 të tjera në formë bonusesh, nuk është se ka zhgënjyer në “Santiago Bernabeu”, por fakti që dy veteranët Luka Modriç dhe Toni Kros kanë rinovuar do të vazhdojnë që t’i lënë pak hapësira 23-vjeçarit.

Për këtë arsye, Bajerni i Mynihut kërkon që të përfitojë nga kjo situatë dhe kanë nisur të fusin në lojë bashkatdhetarin Kingslej Koman për ta bindur që të mendojë një kalim në Bundesligë, ku i garantohet fanella e titullarit.

Madje, edhe sipas burimeve spanjolle, Reali nuk është se e quan të pashitshëm Tçuomenin, por për ta lënë të lirë kërkohen të paktën 120 milionë euro, shifër kjo e cila nuk dihet se mund të paguhet nga Bajerni.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat