Fadil Muriqi: Më pëlqeu loja e Ballkanit por duhet të përmirësohen në një aspekt! Gjilanit dhe Dukagjinit i dëshiroj suksese

Futboll

Fadil Muriqi: Më pëlqeu loja e Ballkanit por duhet të përmirësohen në një aspekt! Gjilanit dhe Dukagjinit i dëshiroj suksese

Kemajl Goca Nga Kemajl Goca Më 14 korrik 2023 Në ora: 16:58
Fadil Muriqi

Legjenda e futbollit të Kosovës, Fadil Muriqi, aktualisht jeton e vepron në Australi, i kalon pushimet në Kosovë.

Prej futbollistëve më të mirë që ka pasur Kosova, nuk harrohen kurrë ndeshjet e tija me gjeneratën e artë të Prishtinës, sidomos goli nga 25 metra në fitoren 1:0 (13 prill 1986, liga e parë ish jugosllave) kundër Partizanit të Beogradit, het-trik-u i tij në triumfin 3:2 (30 mars viti 1986) ndaj Velezhit të Mostarit etj. për të cilat ndeshje dhe shumë ndeshje tjera, edhe sot flasin me nostalgji gjeneratat e vjetra.

Muriqi ka qenë i pranishëm në ndeshjen mes kampionit të Kosovës, Ballkanit të Therandës dhe kampionit të Bullgarisë, Ludogorets, në ndeshjen e parë të rrethit të parë të kualifikueseve për Champions League.

Image

Fadil Muriqi dhe presidenti i FFK-së

Muriqi apo Maradona i Kosovës, është i lumtur që skuadrat e Kosovës po luajnë me sukses në Kupat Evropiane.

Ballkani ka triumfuar me rezultat 2:0 ndaj Ludogoretsit, ndërsa Dukagjini ngadhënjeu me 2:1 kundër FC Europa nga Gjibraltari (Conference League) dhe Gjilani ka luajtur baras në Luksemburg (2:2) me Progres Niedercorn.  

“Një avancim mjaft i mirë i futbollit, sidomos me ka pëlqyer loja e Ballkanit, ku isha edhe prezent.

Ka luajt lojë shumë të mirë, të shpejt e lojë dinamike. Po e përfaqëson futbollin e Kosovës ashtu si i ka hije në arenën ndërkombëtare, po ashtu edhe Gjilanit dhe Dukagjinit i dëshiroj suksese të mëtutjeshme, meqenëse Dukagjini ka rezultat të favorshëm, kurse Gjilani ka barazuar në takimin e parë.

Të tri skuadrat kanë startuar mjaft mirë, në garat që po na përfaqësojnë”, - thotë Muriqi për gazetën kombëtare “Bota sot”.  

Në rast se Dukagjini do të kualifikohet në rrethin e dytë, do të ndeshet me ish skuadrën tuaj në fund të viteve të 80-ta, Rijekën nga Kroacia. Gjasat janë që Rijeka pas 35 viteve të zbarkojë sërish në Prishtinë dhe të ndeshet me Dukagjinin, si e sheh këtë përballje me ish skuadrën tuaj?

“Shpresoj se do të kalojë dhe do të takohet me Rijekën, me ish ekipin tim, por normalisht që dëshira është që Dukagjini të kalojë edhe atë ndeshje, atë pengesë.

Mendoj që do të jetë edhe një shkallë mjaft e rëndësishme e futbollit të Kosovës. Nuk do të jetë e lehtë, meqenëse Rijeka është skuadër me eksperiencë të madhe në arenën ndërkombëtare, por nuk ka favorit më, varet angazhimi, puna dhe vullneti i lojtarëve në terren.

Dukagjini i ka ambicie e mëdha, synon që të prezantohet në mënyrën më të mirë dhe shpresoj që edhe kundër Rijekës do të ketë rezultat të favorshëm nëse kualifikohet, nëse e kalojnë FC Europa-n”, thotë legjenda e futbollit tonë.

Muriqi pret që të tri skuadrat të kualifikohen më tej dhe të prezantojnë ashtu si i ka hije futbollit tonë:

“Iu dëshiroj skuadrave tona rezultate sa më të mira, që të na përfaqësojnë në mënyrë më të denjë, më të mirë që munden të na prezantojnë sepse në sport e dëshirojmë një gjë të tillë”. 

Çfarë iu ka pëlqyer në ndeshjen e Ballkanit?

“Të tregoj të vërtetën, loja mjaft e mirë e Ballkanit, e kanë qarkulluar topin, por përgatitja fizike nuk ka qenë bash në nivel, ndërsa ajo teknike mjaft e mirë. Përgatitje fizike me siguri nuk kanë pasur sa duhet për shkak të kohës së shkurtër, kur dihet se takimet tani po zhvillohen me një shpejtësi në arenën ndërkombëtare, shpresoj që në të ardhmen trajneri Ilir Daja të përmirësojë edhe përgatitjen fizike sidomos në 15 - 20 minutat e fundit, ku skuadra kundërshtare mori iniciativë por fatmirësisht nuk ishin aq të rrezikshëm siç kemi menduar që do të janë”, ka nënvizuar Muriqi.
A do t’i ktheheni futbollit të Kosovës?  

“Jam i koncentruar në Australi.

Do të vijë koha që do të kthehem edhe këtu, meqenëse jam i lidhur me familje, pasi që familjen e kam atje. Nuk kam vendosur ende për të ardhmen”, ka përfunduar Muriqi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat