​Gjeraj rrëfen karrierën – stërvitjet fshehurazi e deri te momentet kulmore të karrierës

Futboll

​Gjeraj rrëfen karrierën – stërvitjet fshehurazi e deri te momentet kulmore të karrierës

Më: 15 korrik 2023 Në ora: 11:23
Robert Gjeraj

Vetëm pak ditë pasi arriti objektivin e madh të karrierës së tij për të rikthyer Lirinë e Prizrenit në elitën e futbollit kosovar, Robert Gjeraj vendosi që të tërhiqet nga futbollit aktiv në moshën 39- vjeçare.

Gjatë karrierës së tij, Gjeraj ka luajtur për shumë skuadra kosovare si Trepça ‘89, Getoari, Besa, Vëllaznimi, Ballkani e Liria. Me skuadrën pejane ka fituar tre tituj kampioni, një herë është shpallur fitues i Kupës si dhe një herë tjetër fitues i Superkupës. Ndërsa me Vëllaznimin ka fituar edhe Kupën e Kosovës.

Koha kur ai nisi të merrej me futboll nuk ishte aspak e lehtë. Gjeraj tregon se si me trajnerin dhe shokët e tij stërviteshin fshehurazi dhe nën frikë të madhe sepse përndiqeshin nga okupatori serb.

Këto vështirësi, ai thotë se vetëm e kanë rritur pasionin e tij për futbollin.

Gjeraj: Jemi stërvitur nën kërcënime dhe frikën nga okupatori

“Unë futbollin e kam nisur para luftës, në shkollën e futbollit ‘Shkëndija’. Ka qenë një profesor, Bedri Çeku profesor i fizkulturës dhe ai na merrte, tinëz luanim futboll sepse kishim frikë nga okupatori...Kemi qenë të vegjël, 13-14 vjeç, ai na merret dhe na ushtronte në një fushë ndihmëse tek fusha e Lirisë, vetëm aty mund të ushtronim dhe atë shumë herët. Nëse vetëm dikush ka thënë ‘ikni se policia’, ne jemi zhdukur nga vendi dhe aty ka lindur dëshira më e madhe sepse kemi bërë diçka fshehurazi. Shumica e kanë ditur që ne po ushtrojmë futboll, por gjithmonë kemi qenë me frikë se mos po na zë dikush dhe prej aty ka lindur dëshira shumë e madhe për futboll.”, tha Gjeraj.

E derisa përshkruan peripecitë nëpër të cilat ka kaluar si futbollist në Kosovë, ai thekson se momenti më i mirë në karrierën e tij erdhi kur u ftua që të bëhet pjesë e ekipit të parë të Lirisë.

Gjeraj: Momenti më i mirë i karrierës ishte kalimit në ekipin e parë të Lirisë

“Momenti më i mirë i imi ka qenë kur kam kaluar në ekipin e parë të Lirisë si i ri dhe kam luajtur me emra shumë të mëdhenj të futbollit të atëhershëm të Kosovës që unë i kam pasur vetëm ëndërr nga jashtë dhe nuk kam fjetur gjithë natën që nesër do të dal në stërvitje me lojtar si Erxhan Dana, Enis Gashi, Mirsad Çollaku që kanë qenë gjenerate e artë e Lirisë në atë kohë edhe ai ka qenë momenti ime më i mirë, kurse gjatë karrierës unë ka kaluar shumë momente të mira edhe me Besën edhe me Vëllaznimin që nuk mund t’i ndajë nga njëra-tjetra”, theksoi ai.

Ashtu si çdo futbollisti, edhe karrierës së Gjerajt i erdhi fundi. Vendimi për t’u tërhequr nga fusha e gjelbër, Gjeraj zbulon se erdhi për dy arsye.

Gjeraj: Mosha dhe frika nga lëndimet më bënë që ta lë futbollin

“Kulmi i një futbollisti është që kur ta përfundon futbollin ta lë me një sukses, ky ndoshta nuk ka qenë trofe por me një sukses për atë klub ku luan. Mua më ka ndodhur me qytetin e lindjes sime, me klubin e qytetit të lindjes dhe nuk është se e kam marr vendimin shpejtë, e kam menduar ndoshta nga data 4 (qershor), por e kam menduar edhe gjatë gjithë sezonit që nëse futemi në Superligë duhet të tërhiqem sepse Superliga e ka rritur nivelin dhe mosha ime nuk ma mundëson që unë të jem pjesë e Superligës edhe pse ndeshja e fundit i ka lënë me shpresë të gjithë që mundem ende, por kam pasur shumë lëndime në trup dhe për shkak të lëndimeve jam frikësuar që nëse me ndodh edhe një lëndim tepër i madh, atëherë do ta kem vështirë edhe për jetën në vazhdim, jetën jashtë futbollit.”, theksoi më tutje Gjeraj.

Menjëherë pas pranimit të Federatës së Futbollit të Kosovës me të drejta të plota në FIFA dhe UEFA, Gjeraj ishte pjesë edhe e Kombëtares së Kosovës, por vetëm për një periudhë të shkurtër.

Fanella e “Dardanëve” thotë se e emocionon ende, andaj ka një mesazh të fuqishëm për çdo lojtar që për një arsye apo tjetër refuzon të luajë për Kosovën.

Gjeraj: Lojtarët e kanë obligim t’i përgjigjen pozitivisht thirrjes së Kosovës

“Kur e shoh se si ka ecur Kombëtarja e Kosovës përpara, unë jam shumë i lumtur dhe as nuk dua ta besoj që një lojtar që luan jashtë Kosovës edhe e refuzon Kosovën, nuk mund ta paramendoj që ta refuzojë një lojtar i Kosovës shtetin e vet. Sepse unë e kam thënë çdo herë, nuk ka aty dëshirë ta zgjedh Kosovën, por e ka obligim dhe detyrim të luajë për shtetin e vetë sepse Kosova nëse të thërret në luftë duhet t’i përgjigjesh dhe Kombëtarja e Kosovës kur të thërret duhet t’i përgjigjesh sepse kjo është një luftë në kuptimin e mirë të fjalës në sport që duhet të luftosh për shtetin tënd”, tha Gjeraj.

Gjeraj flet edhe për kritikat që iu bëhen trajnerëve të Kosovës për faktin që në Kombëtare nuk po ftohen lojtarët e Superligës.

Sipas tij, lojtarët e ligës vendore duhet të tregojnë vazhdimësi për ta merituar ftesën e Kombëtares së Kosovës.

Gjeraj: Për t’u ftuar te Kosova lojtarët e Superligës duhet të kenë vazhdimësi

“Unë mendoj që iu jepet hapësira e duhur, mirëpo mendoj që lojtarët e Kosovës dhe të Superligës duhet të kenë durim. Normal nëse ata e tregojnë vetëm një apo dy ndeshje të mira, nuk mund të themi që ata direkt të merren lojtarët e Superligës, por ata duhet të kenë vazhdimësi. Unë e shoh që lojtarët e Kosovës kanë vazhdimësi, e kemi tregu me rezultatet të tjera edhe me Ballkanin. Normal që duhet fokusuar te Superliga e Kosovës, mirëpo edhe lojtarët që luajnë në liga më të forta edhe ata kanë dëshirë ta zgjedhin Kosovën”, tha në fund Gjeraj.

Pas pensionimit, Gjeraj nuk do të largohet nga futbollit. Ai menjëherë është emëruar trajner i skuadrës U21 të Lirisë së Prizrenit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat