Kukësi, tifo për “europianët” që ka te Gjilani i Duros

Futboll

Kukësi, tifo për “europianët” që ka te Gjilani i Duros

Më: 16 korrik 2023 Në ora: 16:26
Pamje nga një stërvitje

 Edhe pse Kukësi nuk merr pjesë në Europë, ka një pjesë të ekipit të vet në këtë kompeticion.

Bëhet fjalë për portierin Angelo Tafas dhe sulmuesin Atdhe Rashiti, pasi janë huazim tek ekipi i Gjilanit, që merr pjesë në Konferencë Ligë.

Aty është edhe trajneri Klodian Duro, një “ish” i pankinës së Kukësit, i cili solli edhe trofeun e parë të rëndësishëm në kampin verilindor, siç ishte kupa e Shqipërisë.

Sa u përket lojtarëve, të dy u aktivizuan titullarë në ndeshjen e parë ndaj luksemburgasve të Progres Niedenkorn.

Portieri luajti përgjatë 90-të minutave, ndërsa sulmuesi ishte në fushë për 75 minuta. Në përgjithësi të dy futbollistët e Kukësit bënë një paraqitje pozitive, me ekipin e Klodian Duros që e mbylli sfidën në barazim 2 me 2 dhe ka lënë gjithçka të hapur sa i përket kualifikimit për në raundin tjetër.

Mbetet për t’u parë nëse pas kalimit të këtij turi aventura e Tafasit dhe Rashitit do të vijojë ende në Europë, teksa interesi i Kukësit është që të vazhdojnë dhe spikasin, me shpresën se në arkat e tyre do të vijë ndonjë ofertë për t’i blerë. Ndonëse të dy ata shihen si pjesë e rëndësishme e projektit për këtë sezon, sërish nëse vijnë oferta të kënaqshme, klubi do të shihte mundësinë e shitjes së tyre.

KËRNAJA – Rraman Hallaçi do të ketë një ndihmës të ri në krah për këtë sezon, pasi është larguar nga skuadra Ylli Shameti. Këtë pozicion e ka marrë Oltion Kërnaja, i cili sezonin e kaluar ka pasur drejtimin e Kukësi U-21, ku e mori këtë pozicion pas largimit të Hallaçit në ekipin e parë të Kukësit.

Kërnaja ka dalë në stërvitje me ekipin dhe po vijon punën si zv.trajner, duke dhënë ndihmën e tij për Kukësin.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat