Inzaghi zbërthen Interin e ri

Futboll

Inzaghi zbërthen Interin e ri

Më: 25 korrik 2023 Në ora: 20:27
Inzaghi

Trajneri i Interit, Simone Inzagi, mendon se skuadra e tij këtë vit duhet të kërkojë medoemos titullin kampion. Edhe pse zikaltrit kanë bërë më shumë lëvizje në dalje duke larguar emra të njohur, ai është i bindur se ekipi është përforcuar, ndaj do të kërkojë që të përsëritë edhe rrugëtimin në Europë.

“Sezoni i kaluar ishte i mirë, kemi fituar Kupën e Italisë, Superkupën dhe luajtëm në finalen e Ligës së Kampioneve, që mbetet gjithmonë një rezultat shumë i madh. Jemi rritur shumë në nivel europian në krahasim me vitin e parë, nuk të ndodh çdo vit që të arrish në finale. Interit nuk i ndodhte prej 12 vitesh ndaj është një motiv krenarie.

Këtë vit duam të rikonfirmohemi në Europë, do ta provojmë përsëri, edhe pse e dimë se do të jetë shumë e vështirë.

Titulli është objektivi ynë i madh, po përforcohemi dhe po përgatitemi që të luftojmë.

Kemi shpresa që të fitojmë titullin kampion”, tha trajneri nga Osaka, ku Interi gjendet për turin aziatik të verës.

Ai mbrojti më pas me forcë futbollin italian, duke theksuar se ka bërë hapa të rëndësishëm para.

“Ekziston një mendim i përgjithshëm, se italianet bëjnë “katenaço”, por sipas mendimit tim, po përmirësohemi shumë dhe këtë e tregojnë tre skuadrat italiane në finalet e Europës.

Në Serinë A janë 20 skuadra, 10 luajnë me mbrojtje me katër dhe 10 luajnë me tre.

Mua rreshtimi 3-5-2 më ka dhënë garanci të mëdha, por ne trajnerët jemi gati për gjithçka dhe që të përshtatemi”, theksoi trajneri i Interit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat