Partizani synon kualifikimin në Europë

Futboll

Partizani synon kualifikimin në Europë

Më: 26 korrik 2023 Në ora: 13:30
Zaven Hovanisjan

Ndeshja e kthimit mes Partizanit dhe Atletik Eskaldes do të luhet më 1 gusht në orën 20:45.

Në faqen zyrtare në internet, UEFA ka konfirmuar se ky takim do të zhvillohet në stadiumin “Air Albania”, por ende nuk mund të thuhet me siguri diçka e tillë.

Një variant është që sfida e kthimit të spostohet në “Elbasan Arena” për shkak se FSHF pritet të bëjë një rinovim të barit të dëmtuar, në mënyrë që të jetë në gjendjen më të mirë për ndeshjen e Kombëtares shqiptare në muajin shtator ndaj Polonisë.

Ndërkohë, për Partizani-Atletik Eskaldes, UEFA ka përzgjedhur arbitra nga Armenia, teksa kryesor do të jetë 42-vjeçari Zaven Hovanisjan, i cili ka drejtuar më parë dy ndeshje në Ligën e Konferencës, 2 në Ligën e Kampioneve dhe 5 në Ligën e Europës. Asistentë të tij do të jenë Atom Sevguljan dhe Vanik Simonjan.

Sa i përket historikut, arbitri armen ka gjykuar në 3 raste skuadra shqiptare dhe në të tria rastet bëhet fjalë për skuadrat e të rinjve.

Hovanisjan ka gjykuar Vllazninë U19 në një humbje 3-1 ndaj Zimbur, ka gjykuar Shkëndijën e Tiranës U19 në humbjen 1-2 ndaj Sherif Tiraspolit dhe në një rast tjetër Shkëndijën e Tetovës U19 në barazim 1-1 ndaj Nitras.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat