Anglezët të shqetësuar nga Arabia Saudite, kërkojnë ndërhyrjen e FIFA-s

Futboll

Anglezët të shqetësuar nga Arabia Saudite, kërkojnë ndërhyrjen e FIFA-s

Më: 5 gusht 2023 Në ora: 23:18
Logo e FIFA-s

Arabia Saudite ka shpenzuar rreth 400 milionë euro deri në këtë pikë të merkatos për të blerë nga Europa disa prej futbollistëve më të njohur dhe për më tepër, nuk ka ndërmend të ndalet.

Paratë e shumta të klubeve arabe kanë shqetësuar Europën dhe sidomos skuadrat angleze, që ishin mësuar të dominonin në tregun e futbollistëve, por tani duhet të pranojnë se ka shoqëri të tjera edhe më të fuqishme.

E si të mos mjaftojnë paratë e shumta, ajo që shqetëson më shumë klubet angleze, është fakti që merkatoja në Arabinë Saudite mbyllet më 20 shtator, thuajse tre javë pas mbylljes së saj në Europë, e planifikuar për më 1 shtator.

Klubet angleze i druhen faktit që lojtarë të caktuar mund të kërkojnë largimin në fillim të shtatorit dhe të dëmtojnë organikën e skuadrave përkatëse, ndaj edhe kanë përgatitur një letër të cilën pritet ta dërgojnë në FIFA.

Ata do të kërkojnë ndërhyrjen e qeverisë Botërore të Futbollit për të detyruar edhe Arabinë Saudite të mbyllë merkaton më 1 shtator, në mënyrë që më pas vëmendja të përqendrohet vetëm në fushën e blertë.

Gjithsesi duket gati-gati e pamundur që rregullat të ndryshohen rrugës, ndaj ndërhyrja e FIFA-s mund të shërbejë më shumë për të rregulluar afatet e merkatos për verën e ardhshme.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat