Man. City - Arsenal luhet për Community Shield

Futboll

Man. City - Arsenal luhet për Community Shield

Më: 6 gusht 2023 Në ora: 00:10
Pamje nga një ndeshje

Manchester City kundër Arsenalit. Futbolli anglez nis sezonin e ri me përballjen më të ndezur, mes dy skuadrave që rivalizuan sezonin e kaluar deri në fund për titullin e Premier League. Në ‘Wembley’, në orën 17:00, “Citizens” dhe “Topçinjtë” përballen për trofeun e Superkupës, apo siç e quajnë në ishull, Community Shield, në një sfidë që do të keni mundësinë ta ndiqni në SuperSport.

Bëhet fjalë për trofeun e parë të madh që hap sezonin anglez, që paralajmërohet plot intensitet dhe emocione. Kampionët e gjithckaje, Manchester City pasi siguroi tripletën e famshme duke fituar Champions, Premier dhe FA Cup, nën drejtimin e Guardiolës nisen menjëherë për suksesin përballë Arsenal në një sfidë që premton gola.

Natyrisht që City niset me kostumin e favoritit edhe pse Arsenali sezonin e kaluar ja bëri të vështirë jetën Guardiolës, që fitoi falë një sprinti të jashtëzakonshëm në finale. Skuadra e Artetës ka bërë një merkato të rëndësishme për të hedhur menjëherë dorezën e sfidës, pasi ka investuar 116 milionë euro për Declan Rice, 75 për Havertz dhe 40 për Timber duke dhënë sinjalin se është gati për të tentuar sërish që të fitojë Premier League duke ndërprerë dominimin e Cityt.

Këta të fundit nga ana tjetër kanë humbur Gyndogan, Mendy dhe Mahrez por kanë marrë Kovacic e Gvardiol, teksa është gjithmonë aty Haaland, avantazhi i madh i Guardiolës përballë çdo kundërshtari.

Të dyja skuadrat përballen për herë të parë për Superkupën që nga 2014 kur londinezët të drejtuar atë kohë nga Arsen Wenger, fitonin 3-0 përballë City-t të Pellegrinit por gjërat kanë ndryshuar shumë që nga ajo kohë. Arsenali do të jetë pa sulmuesin Gabriel Jesus, me sulmuesin që ka pësuar një dëmtim në gju që do ta mbajë jashtë fushe edhe për fillimin e kampionatit, ndërsa te City kanë dy dyshime për sa i përket dëmtimeve para finales në Wembley.

Kevin De Bruyne nuk ka luajtur asnjë minutë në ndeshjet e sezonit si pasojë e dëmtimit që pësoi në finalen e Championsit me Interin dhe mbetet në dyshim ashtu si dhe Nathan Ake.

Në konferencën për shtyp, ndoshta edhe duke bërë një lojë psikologjike, Guardiola paralajmëron se skuadra e tij mund të mos jetë ende në formën më të mirë, edhe pse kanë fituar 2 nga 3 ndeshjet e tyre parasezonale.

“Kemi shansin për të fituar këtë trofe dhe ne do të përpiqemi, edhe pse duke e ditur se ne e përfunduam sezonin dy javë më pas se Arsenali duke i nisur më vonë përgatitjet.

Nuk jemi në formën tonë optimale, por kjo është një finale dhe shpresojmë që mentaliteti që kemi të na ndihmojë të garojmë siç duhet përballë tyre dhe ta fitojmë këtë trofe”, tha Pep.

Në krahun tjetër Arteta që e fitoi Superkupën në 2020 pasi udhëhoqi skuadrën e tij në një fitore me penallti përballë Liverpulit të Jurgen Klopp, u shfaq mjaft i entuziazmuar në lidhje me shansin për të siguruar këtë trofe për herë të dytë si trajner i Arsenalit.

“Jemi shumë të emocionuar që do të luajmë këtë finale e cila na jep mundësinë për të fituar një trofe.

Ne do të luajmë përballë asaj që është skuadra për tu mposhtur. Ata ishin skuadra më e mirë në Europë kështu që ne e dimë se për çfarë standardesh po flasim dhe se çfarë na duhet të bëjmë për të fituar”, u shpreh Arteta.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat