Frymëzohem nga Modriç!

Futboll

Frymëzohem nga Modriç!

Më: 6 gusht 2023 Në ora: 12:03
Courtois e Modriç

Thibaut Courtois është një nga pikat më të forta të Real Madrid. Portieri belg është rikthyer në formën e ditëve më të mira dhe ka dhënë një kontribut të madh në sukseset e viteve të fundit të “Los Blancos”.

Dëshira e 31-vjeçarit, i cili ka edhe 3 vite kontratë me Realin, është ta mbyllë karrierën në “Santiago Bernabeu”.

“Tri vite janë shumë në futboll, por unë mendoj se të gjithë e dinë se jam i lumtur te Reali. Dua të tërhiqem nga futbolli me këtë skuadër, dua ta mbyll këtu”.

Courtois merr si shembull Luka Modriç, shokun e skuadrës, i cili vazhdon të jetë brilant në fushë edhe pse vitet kalojnë dhe muajin e ardhshëm do të festojë 38-vjetorin.

“Përderisa Modric vijon të luajë edhe në moshën 38-vjeçare, unë shpresoj të luaj më shumë se ai. Edhe pse, të them të drejtën, po e shijoj në maksimum të tashmen.

Modric është një futbollist i mrekullueshëm, i jashtëzakonshëm. Jam realisht i befasuar nga aftësitë e tij fizike dhe teknike. Nuk dëmtohet kurrë. Kur e sheh Lukën duke luajtur e kupton se pse ai fitoi Topin e Artë në 2018-n”.

Në fund objektivat. Courtois, autor i 102 ndeshjeve me kombëtaren e Belgjikës, luan me Realin prej verës së vitit 2018. Deri tani ka fituar 8 trofe, numër që kërkon ta rrisë edhe më shumë.

“Sezoni i kaluar nuk ishte i keq, por ne duam të reagojmë dhe të fitojmë gjithçka. E nisëm mirë, fituam Superkupën e Europës. Po paraqiteshim mirë edhe në kampionat, por gjërat ndryshuan pas Botërorit.

Nuk ia dolëm të mbanim të njëjtin nivel pas Kupës së Botës.

Humbëm Superkupën e Spanjës kundër Barcelonës në një mënyrë të shëmtuar. Më pas nisëm të linim pikë edhe në kampionat.

Fituam Kupën e Mbretit dhe mbërritëm në gjysmëfinalet e Champions League. Jemi të lumtur, por jo për humbjen 4-0 ndaj Manchester City. Këtë vit do të synojmë të rikthehemi në finalen e Championsit dhe të fitojmë sa më shumë trofe.

Në Madrid luhet për të triumfuar në çdo kompeticion. Kemi bërë disa blerje emocionuese, si Bellingham.

Të gjithë jemi entuziastë për nisjen e sezonit të ri. Uroj ta nisim sa më mirë”, theksoi një ndër portierët më të mirë në planet.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat