Ruçi: Nuk më krahasojnë me emra “big”, Cana shembulli im

Futboll

Ruçi: Nuk më krahasojnë me emra “big”, Cana shembulli im

Më: 6 gusht 2023 Në ora: 13:21
Ruçi

Orgito Ruçi është një nga talentet kuqezi, pjesë e futbollit Italian.

Mesfushori i Shqipërisë U19 aktivizohet me të rinjtë e Xhenoas, ndërkohë që hapat e parë në futboll i ka hedhur në Greqi. I riu kujton se si nisi gjithçka për të dhe kush janë ata që e mbështesin dhe i japin këshilla që të rritet si futbollist.

Në rubrikën “Talenti shqiptar” Orgito flet për kalimin në Itali, lojtarin që e ka si shembull dhe për mundësinë e aktivizimit në Serinë A, ku numri i shqiptarëve çdo vit ka ardhur në rritje.

Edhe pse ka vetëm pak kohë që i ka mbushur 18 vjeç, mesfushori qendror thekson se për të ecur përpara duhet punë, shumë punë, dhe ai është gati t’i realizojë dëshirat dhe objektivat që ka.

Orgito, si ka nisur për ju lidhja me futbollin? Kush është njeriu që ju ka shtyrë drejt këtij sporti?

Lidhja ime me futbollin ka nisur që në moshë shumë të vogël.

E mbaj mend veten gjithmonë me një top në këmbë. Njeriu i parë që më përfshiu në futboll ishte babai im. Ishte sporti i preferuar për të dhe kishte parë që unë isha shumë aktiv dhe kisha një dashuri shumë të madhe për futbollin.

Deri në moshën 4 vjeç luaja me një top në çdo vend ku kisha mundësi, bashkë me babain dhe njerëzit e mi të afërm. Gjithashtu luaja edhe vetëm. Në moshën 5-vjeçare u bë hapi i parë për mua dhe u bëra pjesë e një akademie në Trikala, Dhimitra Apollon, ku qëndrova për 10 vite.

Kush është personi që ju këshillon më së shumti në lidhje me futbollin dhe që ju qëndron më afër?

Familjarët e mi janë ata që më këshillojnë më shumë dhe më qëndrojnë pranë në çdo kohë, për të më ndihmuar në çdo aspekt, edhe kur kam vështirësi. I respektoj shumë të gjithë familjarët e mi. Sa i takon pjesës së futbollit, babai është personi që kam më afër.

Ai më mbështet shumë, sikurse edhe përfaqësuesi im. Kam besim tek ai dhe një marrëdhënie të mirë prej gati pesë vitesh.

Gjithashtu më kanë këshilluar shumë trajnerë. Që i vogël kam mësuar të respektoj çdo njeri dhe pastaj të mësoj shumë gjëra prej tyre dhe të punoj fort.

Si jeni ndjerë kur morët për herë të parë ftesën nga Shqipëria U17?

Kur mora ftesën për herë të parë në moshën 17-vjeçare ndjeva një kënaqësi shumë të madhe, pasi që fëmijë  i vogël kam pasur dëshirë të vishja fanellën kuqezi. Kam qenë gjithashtu edhe një tifoz shumë i  madh i Kombëtares A, ndiqja të gjitha ndeshjet. Ndjej kënaqësi të madhe kur luaj për

Shqipërinë dhe jam shumë mirënjohës. Kjo më motivon akoma më shumë për të ardhmen, që të punoj edhe më fort.

Si ka qenë për ju të kaloni nga Greqia në Itali?

Për mua për të kaluar nga Greqia në Itali ishte një vendim i madh dhe i vështirë që të ndiqja ëndrrën time. Lashë mbrapa njerëzit e mi, shtetin ku u rrita, shokët dhe shumë gjëra të tjera për të filluar një aventurë të re në një nga kampionatet më të forta në Europë.

Kjo më hap edhe mua mundësi të reja, mund të mësoj edhe më shumë nga ana e futbollit.

Jam i  lumtur për këtë vendim që mora.

Në Itali tani ka një numër të madh shqiptarësh që po luajnë në Serie A. Si ndjeheni për këtë dhe sa besim ju jep që shumë shpejt dhe ju do u bashkoheni atyre?

Kjo gjë më motivon edhe mua, që të ndjek gjurmët e tyre dhe të luaj një ditë në Serie A. Besoj se me shumë punë brenda dhe jashtë fushë, me disiplinë, me shumë besim te vetja dhe me fat mund të jem edhe unë një lojtar i ardhshëm në kampionatin Italian.

Kush është lojtari shqiptar që ju motivon më së shumti, që e keni si shembull?

Lorik Cana është një prej atyre që më motivon shumë dhe e kam si shembull. Ai ishte një lojtar i cili kishte shumë pasion për këtë sport, ishte një lider që jepte maksimumin në fushë në çdo ndeshje.

A ju krahasojnë me ndonjë futbollist të njohur?

Jo, nuk më krahasojnë me ndonjë futbollist të njohur dhe kjo gjë nuk më shqetëson.

Ndihem mirë sepse më jep mundësinë të krijoj karakterin tim në fushë, me aftësitë që unë kam.

Vetë ju personalisht, cilin keni synimin më të madh në futboll? Ka një futbollist në gjurmët e të cilit do të donit të ecnit?

Dua të arrij sa më lart, të punoj dhe të jap maksimumin në këtë sport. Nuk më pëlqen të flas shumë për veten time në lidhje me futbollin, por më pëlqen të punoj shumë brenda fushe dhe të jap gjithmonë maksimunin në çdo ndeshje e stërvitje.

Janë shumë lojtar klasi, të cilët luajnë në pozicionin tim në mesfushë dhe unë i ndjek dhe përpiqem të marr sa më shumë nga ata dhe të përmirësoj cilësitë e mia.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat