Shtyhet kampionati

Futboll

Shtyhet kampionati

Më: 8 gusht 2023 Në ora: 13:16
Foto ilustrim

Kategoria Superiore nuk do të startojë më 19 gusht, siç dhe ishte parashikuar nga vetë Komiteti Ekzekutiv i FSHF-së, por është shtyrë për më 26 gusht.

Lajmin e ka konfirmuar dje institucioni i futbollit përmes një komunikate zyrtare, duke thënë se kjo gjë erdhi si pasojë e kërkesës së mazhorancës së klubeve.

“Departamenti i Garave në Federatën Shqiptare të Futbollit bën me dije se nisja e sezonit të kampionatit kombëtar, Kategoria Superiore për sezonin 2023-2024 është shtyrë me një javë.

Sezoni i ri futbollistik ishte planifikuar të niste më datë 19 gusht, ndërkohë që pas kërkesës së mazhorancës së klubeve për spostimin e nisjes së aktivitetit me një javë, e cila është marrë në shqyrtim nga Komiteti Ekzekutiv i FSHF-së, është spostuar për më datë 26 gusht 2023, kur do të zhvillohet dhe java e parë. Lidhur me këtë ndryshim të kalendarit janë njoftuar edhe klubet pjesëmarrëse në Superiore”, njoftonte dje federata.

PRAPASKENAT – Por çfarë nuk shkon në këtë shtyrje? Së pari ka një mungesë të theksuar serioziteti nga vetë FSHF-ja, që në prag të sezonit të ri, e nis me shtyrje pa pasur një arsye madhore. “Panorama Sport” zbulon se jo të gjitha klubet kanë qenë dakord me këtë shtyrje, pasi tashmë janë prishur planet stërvitore dhe në këtë moment disa mund të favorizohen dhe të tjerë mund të kenë probleme nga ky vendim, duke mos pasur një barazimi. Mësohet se Teuta dhe Vllaznia kanë qendër kundër faktit që të spostohet me një javë data e nisjes së kampionatit.

Nga ana tjetër, gazeta mëson se edhe vetë FSHF-ja nuk është gati, pasi nuk ka zgjidhur ende shitjen e së drejtës TV. Kjo çështje është sigurisht madhore, pasi lidhet direkt me të ardhurat e klubeve. FSHF-ja ka njoftuar në fund të qershorit për ndërprerjen e bashkëpunimit me “OverSport”, por ende nuk është përcaktuar fituesi për të drejtën televizive të sezonit të ri. Tashmë mbetet të shihet se si do të zgjidhet ky ngërç, ndërkohë që shtyrja në këtë situatë mund t’i bëjë mirë skuadrave që ende nuk e kanë plotësuar grupin. FSHF-ja me këtë lëvizje u jep një dorë ekipeve që po organizohen me vonesë për arsye të ndryshme dhe këtu futen padiskutim Erzeni, Dinamo dhe Kukësi.

Nga ana tjetër, duket një handikap për ekipet që kanë luajtur në Europë si Tirana, Partizani, Vllaznia dhe Egnatia. Gjithsesi, tej faktit se cilat skuadra e kanë kërkuar dhe cilat janë kundër apo cilat përfitojnë në Shqipëri është bërë zakon që fillimi i Superiores të shtyhet gjithmonë, duke treguar një mungesë të theksuar serioziteti për atë që mund të quhen gara më e rëndësishme e futbollit në vend. Përpos ndryshimi të formulës për ekipin që fiton titullin në fund, ndryshimi i datës që pa nisur ende kampionati, tregon se shumë gjëra nuk po shkojnë si duhet.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat