Tonali: Sa urime nga ish-shokët e Milanit

Futboll

Tonali: Sa urime nga ish-shokët e Milanit

Më: 13 gusht 2023 Në ora: 14:20
Sandro Tonali e Newcastle

Sandro Tonali i mjaftuan 6 minuta për të shënuar në debutimin e tij zyrtar me Newcastle. Skuadra e Eddie Howe e nisi sezonin e ri në Premier League me një fitore fantastike 5-1 përballë Aston Villas.

Sfidë që u zhbllokua nga ish-mesfushori i Milanit, për shërbimet e të cilit drejtuesit e klubit ishullor shpenzuan 80 mln euro.

23-vjeçari u shfaq i lumtur për debutimin me gol në “St. James Park”, teksa zbulon se ka marrë urime të shumta nga ish-shokët e tij te kuqezinjtë e Milanit.

“Ndeshja e parë e vërtetë, luanim në shtëpi, shënova dhe fituam.

Nuk ka më bukur. U argëtuam të gjithë. Na shkoi mbarë ndeshja, pikërisht ashtu siç e kishim përgatitur.

E kisha ëndërruar një debutim të tillë. Gjithsesi, ëndrrat janë të bukura, por realiteti është tjetër gjë. Jam shumë i lumtur”, theksoi Tonali pas ndeshjes.

Nuk mungon një koment për aventurën e re në ishull dhe për tifozët pasionantë të Newcastle. Të cilët nisën menjëherë të këndonin në kor emrin e tij.

“Jam në një realitet tjetër nga Milani, duhet të ndryshosh pak nga gjithçka, edhe nga vetja.

Nuk bën të njëjtat gjëra si më parë, nuk i gjen miqtë që kishe në shtëpi.

Janë dy jetë shumë të largëta, por profesionalizmi është gjithmonë në mes, nuk më mungon kurrë.

E ndjeva ngrohtësinë e fansave, ata nisën të brohorisnin për mua që në fillim.

Dhe duke folur me trajnerin pas ndeshjes, kuptova sa i lumtur ishte dhe sa shumë më do…

Milan? Flas shpesh me ish-shokët, jemi gjithmonë në kontakt. Ata janë miqtë e mi, më kanë shkruar shumë mesazhe duke më komplimentuar”, përfundoi “ylli” i ri i Newcastle.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat