Besar Iseni flet në prag të ndeshjes me rivalin e madh, Vardarin

Futboll

Besar Iseni flet në prag të ndeshjes me rivalin e madh, Vardarin

Më: 19 gusht 2023 Në ora: 13:21
Besar Iseni

Voska Sport të dielën në Ohër do të mirëpret Vardarin në ndeshjen e vlefshme të xhiros së tretë në elitën e futbollit maqedonas.

Është kjo hera e parë që këto dy skuadra do të zhvillojnë një ndeshje në kuadër të Ligës së Parë, pasi edicionin e kaluar që të dyja arritën të sigurojnë një vend për në mesin e më të mirëve.

Voska Sport u shpall kampione, duke u renditur në pozitën e parë, ndërsa Vardari rikthimin në elitë e siguroi vetëm përmes ndeshjes së balotazhit. Deri më tani në Ligën e Dytë, këto dy skuadra janë takuar plotë 5 herë, me Vardarin që numëron 3 fitore dhe Voska Sport që ka fituar dy herë.

Nga tabori i skuadrës shqiptare nga Ohri, për faqen zyrtare në “facebook” ka folur Besar Iseni, i cili në të kaluarën kishte veshur edhe fanellën e Vardarit.

“Si çdo ndeshje tjetër, ashtu edhe kjo kundër Vardarit ka rëndësinë e vetë. Luajmë para publikut tonë, gjatë gjithë javës jemi përgatitur maksimalisht për këtë kundërshtarë, me shpresë se në fund pikët do mbeten në Ohër.

Është e vërtetë që Vardari nuk është ajo skuadër që ka qenë më parë, mirëpo në asnjë mënyrë nuk duhet nënvlerësuar ata, pasi mendoj se në rradhët e veta kanë futbollistë me mjaft eksperiencë në Ligën e Parë, ashtu që neve si skuadër na duhet një përkushtim i madh dhe angazhim maksimal, në rast se dëshirojmë të arrijmë deri tek fitorja” – është shprehur fillimisht Besar Iseni.

Luani ndaj ish skuadrës së juaj…

“E vërtetë se kam qenë pjesë e Vardarit në të kaluarën, mirëpo ka qenë një periudhë e shkurtër. Tash jam pjesë e Voska Sport dhe neve si profesionist japim maksimumin për atë fanellë që e bartim për momentin, duke harruar për 90 minuta të kaluarën tonë” – ka përfunduar intervistën e tij, Iseni, i cili gjatë kësaj merkatoje iu bashkua Voska Sportit nga rradhët e skuadrës kosovare të Ferizajt.

Eksperienca e tij e madhe në Ligën e Parë, me siguri se do të jetë e mirëseardhur për skuadrën e Voska Sport, por edhe trajnerin Miljan Radoviç, që pritet ti besoj minuta edhe Isenit, që te skuadra shqiptare nga Ohri ka ardhur si një përforcim i madh.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat