Berardi do vetëm Juventusin

Futboll

Berardi do vetëm Juventusin

Më: 20 gusht 2023 Në ora: 14:56
Berardi

Atëherë kur dukej se bisedimet mes Ju ventusit dhe Sasulos po shkonin shumë mbarë për Domeniko Berardin, papritur klubi emiljan ka vendosur që ta tërheqë kapitenin e tij nga merkato, duke e shpallur të pashitshëm.

Kjo lëvizje duket se ka qenë një kundërpërgjigje ndaj faktit se Sasuolo, i cili kërkon 30 milionë euro për sulmuesin, është lodhur nga “Zonja e Vjetër” që për tri ditë më radhë ka ofruar 20 milionë euro dhe thjesht ka ndërruar emrat e lojtarëve që kërkonte të fuste në tratativë për uljen e kostove (Iling, Soule dhe Mireti).

Por lëvizja e Sasuolos nuk i ka pëlqyer Berardit më shumë se kujtdo tjetër, duke qenë se pasi e ftuan që të bisedonte me Juven dhe pasi u bind që të gjente një akord total financiar me ata, për 3 vite, klubi i tij vendos që të frenojë gjithçka.

Dhe Berardi ka vendosur që të marrë vetë në dorë situatën dhe të rebelohet, pasi tani kërkon vetëm Juventusi dhe nga dje është vetëpërjashtuar nga stërvitjet e skuadrës së parë, duke vendosur që të stërvitet nga dita e djeshme e në vazhdim me skuadrën e të rinjve. Në këtë mënyrë, Berardi detyron Sasuolon që të rihapë bisedimet dhe të gjejë marrëveshjen sa më shpejt me Juventusin.

Pasi iu mohua Lukaku, tani trajneri Masimiliano Alegri e kërkon me çdo kusht Domeniko Berardin për arsyet e tij taktike dhe drejtori Xhuntoli do të rikthehet edhe më fort në sulm, në ditët në vazhdim.

Berardi, i cili nga ana e tij e ka bërë pjesën më të rëndësishme duke përjashtuar veten nga stërvitjet me ekipin e parë i pëlqen Alegrit, sepse pikësëpari ka numra prej lojtari të madh. Në 297 ndeshje ka shënuar 113 gola dhe ka ofruar 80 asiste.

Ai do të ishte lojtari ideal për skemën 3-5-2 për të zëvendësuar të larguarin Angel Di Maria dhe për t’u bërë shpatulla e Vlahoviçit.

Por edhe në një 4-3-3 si në kombëtare, trioja Kieza-Vlahoviç-Berardi do të ishte vërtet shumë e rrezikshme.

Në të njëjtën kohë, 27-vjeçari di të bëjë edhe fantazistin, në një ndeshje që shkon keq dhe shtohet doza sulmuese në fushë, apo akoma më shumë ka klas në këmbët e tij për goditjet e dënimit si dhe është i akullt dhe gati përfekt (91 % saktësi) në goditjen e penalltive. Dhe të gjitha këto nuk janë pak arsye për të kuptuar këmbënguljen e Alegrit për ta pasur nën urdhra për sezonin e ri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat