Shkupi barazon me Sileksin

Futboll

Shkupi barazon me Sileksin

Më: 20 gusht 2023 Në ora: 23:09
Shkupi

Ekipi ynë sot luajti ndeshjen e javës së tretë të Ligës së Parë të Maqedonisë së Veriut dhe të parën në stadiumin e Çairit. Përballë në këtë duel kishim ekipin e Sileksit me te cilët mbyllëm ndeshjen ne barazim 1-1.

Që në fillim të ndeshjes, futbollistët tanë kishin dominim të topit dhe tentonin në mënyra të ndryshme që të shpërthejnë mbrojtjen e ngjeshur mysafire.

Rast pas rasti, duke tentuar me goditje nga distanca afroheshim deri në gjashtëmbëdhjetëshin kundërshtarë, ndërsa në mesin e pjesës së parë Niltinjo u ndal në mënyrë të palejuar, por për arbitrat e ndeshjes, nuk kishte penallti.

Kur pritej fundi i pjesës së parë, ishte Pinter ai i cili mori përsipër të gjuaj nga goditja e lirë dhe me ndihmën e murit të gjallë shënoi një super gol për epërsi 1-0.

Fillimi i pjesës së dytë nuk solli ndonjë rast më serioz dhe kryesisht luhej në mesin e fushës, ndërsa pikërisht në këtë moment trajneri ynë Arslan vendosi të freskojë skuadrën dhe bëri një zëvendësim të dyfishtë.

Sileksi në disa momente ushtroi presion për të barazuar rezultatin dhe ndryshimi erdhi në minutën e 77-të, kur Gjorgjievski mposhti Iljazin dhe shënoi për 1-1. Në golin e shënuar futbollistët tanë protestuan dhe kërkuan pozitë jashtë loje, por arbitrat nuk e ndryshuan vendimin fillestar.

Pak para fundit të ndeshjes, kishte një ndërhyrje të ashpër ndaj sulmuesit tonë, Armin Hodxhiç, por edhe në këtë rast kryesori i arbitrave Kaçevski, nuk dha shenjë për goditje nga pika e bardhë, me çka deri në fund mbet rezultati 1-1.

Në javën e katërt që luhet në mesjave (të mërkurën), ekipi ynë do të jetë mysafir në lagjen e Gjorçe Petrovit, ku takohemi me skuadrën e Makedonija Gjorçe Petrovit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat