Duro: Kundërshtari luan futboll fizik, kualifikimi i hapur

Futboll

Duro: Kundërshtari luan futboll fizik, kualifikimi i hapur

Më: 23 gusht 2023 Në ora: 21:29
Pamje nga konferenca

Struga ka përjetuar një verë ëndrrash në kompeticionet europiane. Kalim turesh, histori dhe të ardhura të shumta financiare, dhe kampionët në fuqi të Maqedonisë së Veriut nuk mund të shpresonin për asgjë më të mirë.

Tanimë, në fazën play-off, vetëm një hap larg fazës së grupeve të Conference League, Struga do të përballet me islandezët e Breidablik, ku synimi i vetëm është kualifikimi.

Në prag të duelit të parë të play-off, foli në konferencën për shtyp dhe trajneri i Strugës, Shpëtim Duro që vlerësoi maksimalisht ecurinë e skuadrës deri më tani, por që nuk mjaftohet vetëm me kaq, pasi tekniku kryeqytetas shpreson se skuadra e tij do ta kalojë edhe kundërshtarin islandez.

‘’Për ne është një arritje e jashtëzakonshme që kemi ardhur deri në fazën e play-off. Një rrugëtim i paparashikueshëm, por i merituar për atë që ka dhënë skuadra në ndeshjet europiane.

Tani vjen momenti më i rëndësishëm, janë dhe dy ndeshje decizive për të luajtur, ne do të shpresojmë që të kalojmë më tej dhe të kualifikohemi në fazën e grupeve.’’

Më pas, nr.1 i pankinës së Strugës u ndal edhe tek kundërshtari, ku theksoi që nuk duhet nënvlerësuar aspak, pasi janë një skuadër e organizuar, luajnë futboll fizik dhe së fundmi tre lojtarë të Breidablik janë thirrur dhe nga kombëtarja e Islandës.

‘’Çdo kundërshtar është i vështirë. Breidablik nuk ka shumë diferenca me ne, luajnë futboll fizik dhe janë agresivë.

Tre lojtarë të tyre janë thirrur së fundmi nga kombëtarja e Islandës. Kam besim tek skuadra ime dhe jam i bindur që kualifikimi do të jetë i hapur në të dyja ndeshjet.’’

Struga do ta zhvillojë ndeshjen e parë ndaj islandezëve të Breidablik në shtëpi, me sfidën që do të startojë të enjtën, në 17:00.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat