Chelsea pranon huazimin

Futboll

Chelsea pranon huazimin

Më: 25 gusht 2023 Në ora: 15:53
Lukaku

Merkatoja e futbollistëve është futur në javën e fundit dhe Romelu Lukaku e ka me nxitim tashmë të gjejë një skuadër të re, pasi priti për më shumë se një muaj Juventusin, që gjithsesi nuk ia doli të shesë serbin Vlahovic.

Të njëjtin nxitim ka edhe Chelsea, që nuk dëshiron të mbajë në skuadër një futbollist me pagë aq të lartë sa ajo e belgut, i cili për më tepër nuk bën pjesë as në planet e klubit dhe as ato të trajnerit Pochettino.

Pikërisht për këtë arsye londinezët i kanë hapur udhë edhe një huazimi të Lukakut, me kushtin që të kursejnë minimalisht pagën e tij vjetore, teksa në këtë mënyrë është kthyer fuqishëm në garë Roma.

Sipas mediave italiane, Jose Mourinho ka kontaktuar personalisht me sulmuesin belg, të cilin e ka stërvitur edhe te Manchester United, dhe i ka kërkuar që ta ndjekë pas në aventurën te verdhekuqtë.

Nga ana tjetër, edhe pronari i Romës, Dan Friedkin ka kontaktuar zyrtarisht me patriotin e tij, amerikanin Tod Boehly nga Chelsea, duke nisur kështu negociatat për transferimin e Lukakut në Romë.

Krahas verdhekuqve, së fundi edhe Milani po luan shanset e tij për të transferuar sulmuesin belg, me Piolin që ka dhënë tashmë miratimin. Kuqezinjtë kanë raporte mjaft të mira me drejteusit e Chelsea-t, ku kanë marrë dy lojtarë gjatë verës, konkretisht Loftus-Cheek dhe Pulisic, megithatë vetë Lukaku do të preferonte më shumë një transferim në Romë, për të shmangur përballjen e përditshme me tifozët e Interit në Milano.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat