Axhenda e kuqezinjve

Futboll

Axhenda e kuqezinjve

Më: 29 gusht 2023 Në ora: 23:52
Kombëtarja shqiptare

Kombëtarja shqiptare do të luajë në fillimin e muajit shtator dy takimet ndoshta më të rëndësishme për fatet e kualifikimit në Europianin e Gjermanisë vitin e ardhshëm. E para është më 7 shtator, aty ku transferta çeke patjetër që ka një vështirësi të madhe, për shkak se kundërshtari ka karakteristika të një loje të fortë e fizike.

Kështu që kuqezinjtë duhet të përgatiten sa më mirë dhe të jenë në 100 për qind të gjendjes së tyre.

Sa i përket axhendës në kohën kur Kombëtarja do të grumbullohet, një ndër problemet është edhe koha shumë e shkurtët që Silvinjo do të ketë me grupin e plotë të lojtarëve për të përgatitur ndeshjen e parë.

Patjetër që të gjithë janë profesionistë dhe udhëzimet i kuptojnë, por duke qenë se ndeshja në Pragë luhet më 7 shtator dhe ekipi do të niset drejt Çekisë më datën 6, brazilianit i mbeten vetëm 2 ditë përgatitje në Shqipëri për këtë përballje, pasi një pjesë e mirë e lojtarëve janë të angazhuar në datën 3 shtator me klubet e tyre.

Kështu që të hënën do të bashkohen me pjesën tjetër të grupit me një stërvitje të lehtë, duke qenë se vijnë pas ndeshjes, të martën seanca e radhës dhe të mërkurën udhëtimi drejt Çekisë. Lodhja, një tjetër faktor, që do të ndikojë.

Për të mos përmendur Jasir Asanin, i cili luan në datën 3 shtator në kampionatin korean dhe vetëm udhëtimi me avion drejt Shqipërisë zgjat 24 orë.

Për anësorin mund të nevojitej që FSHF-ja t’i kërkonte leje klubit të Guangju, që në ndeshjen e asaj fundjave të mos angazhohej.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat