Kukësi i Hallaçit kërkon fitoren e parë

Futboll

Kukësi i Hallaçit kërkon fitoren e parë

Më: 30 gusht 2023 Në ora: 14:55
Kukësi

Humbja ndaj Vllaznisë është lënë menjëherë pas krahëve në kampin kuksian, duke u fokusuar tanimë plotësisht për ndeshjen e së dielës, atë ndaj Egnatias në “Kukës Arena”.

Një tjetër sfidë po aq e vështirë sa edhe me shkodranët, edhe pse këtë ndeshje do ta luajnë në fushën e tyre.

Thuhet kështu, sepse ndaj rrogozhinasve nuk kanë bërë mirë në shtëpi vitin e fundit, ku janë mundur në të dyja rastet dhe e kthyer si një tabu fitoren.

Për më tepër, si pritës verilindorët kanë tri takime radhazi që nuk fitojnë, duke llogaritur edhe një barazim para dy sezonesh pas dy humbjeve vitin e kaluar.

Me pak fjalë, shtëpia nuk është se u sjell shumë fat verilindorëve, por në klub shpresojnë që me mbështetjen e tifozëve t’i japin një shtysë më shumë skuadrës për të tentuar maksimumin, përkundrejt një rivali që këtë sezon ka synime madhore.

Edhe pse në këtë përballje është Egnatia, që vjen me petkun e një skuadre pretendente, për shkak të investimeve të kryera, në Kukës nuk i tremb aspak ky fakt. Sezonin e kaluar kur ishte pak a shumë e njëjta situatë si tani. Kukësi e mundi dy herë po aq sa edhe u mposht, duke treguar se ndaj rrogozhinasve luajnë futboll edhe mund të marrin pikët. Në total, nga 18 takime të luajtura midis tyre, verilindorët janë më mirë në përballjet direkte, sepse kanë fituar dhjetë, humbur gjashtë dhe në dy raste janë mbyllur në barazim. Gjithsesi, bëhet fjalë thjesht për statistika, sepse ajo që vlen më shumë është gjendja aktuale e të dyja ekipeve. Dhe, të dyja vijnë pas humbjeve më ndeshjet e para, duke bërë që presioni të jetë i madh dhe skuadrat të kërkojnë të marrin maksimumin për të mos humbur ritmin e rivalëve, ndonëse bëhet fjalë vetëm për javën e dytë te kampionatit.

SITUATA – Kukësi ka hyrë këtë sezon në kampionat pa një objektiv konkret.

Nga njëra anë nuk pretendon titullin kampion, por edhe nuk e sheh veten si skuadra që rrezikon më shumë mbijetesën. Në këtë situatë, objektivi i skuadrës blu është vetëm të grumbullojnë sa më shumë pikë në çdo ndeshje dhe rrugës më pas do të flitet për objektiva.

Kjo, edhe për faktin se kanë shumë lojtarë të rinj dhe nuk i dihet potenciali real që kanë, ndaj edhe nuk flitet për objektiva konkretë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat