Zyrtarizon tërheqjen

Futboll

Zyrtarizon tërheqjen

Më: 31 gusht 2023 Në ora: 13:49
Rapino

Legjenda e futbollit të femrave amerikane “var këpucët në gozhë” më 24 shtator në Çikago

Ishte njoftuar më herët, por tanimë është bërë zyrtare.

Dy herë kampionia e botës për përfaqësuesen amerikane të futbollit të femrave, Megan Rapino, do të luajë ndeshjen e fundit të saj si lojtare profesioniste më 24 shtator 2023, në stadiumin “Soldier Field” të Çikagos, ka bërë të ditur të martën Federata e Futbollit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Sulmuesja 38-vjeçare e deklaroi tërheqjen që në korrik, para nisjes së Botërorit të këtin viti në Australi dhe Zelandë të Re, kur sqaroi se do ta bënte këtë në fund të sezonit aktual të Ligës Amerikane të Femrave (NWSL), ku ajo militon në radhët e skuadrës OL Reign.

Në fakt, eliminimi i një kampioneje në fuqi, sidomos në një fazë relativisht të hershme, siç është turi i 16-shes, ishte padyshim një zhvillim tronditës për një turne ndërkombëtar dhe Kampionati i 9-të Botëror i Futbollit të Femrave, që u zhvillua javët e fundit në Australi dhe në Zelandë të Re, nuk bën përjashtim. Dhe zhgënjimi që ka shpërthyer, sidomos në radhët e tifozëve amerikanë, ka qenë i madh, i drejtuar kryesisht tek Megan Rapino, e cila humbi goditjen e 3-të dhe të parën për skuadrën e saj.

Më tepër se humbja e 11-metërshit, tifozët kanë qenë të zemëruar me faktin se futbollistja legjendare u largua duke qeshur drejt mesit të fushës dhe ky gjest është cilësuar si i padenjë. Madje një prej tifozëve shkoi aq larg në reagimin e tij në rrjetet sociale, saqë u shpreh i lumtur që 38-vjeçarja e kishte mbyllur tanimë karrierën e saj me përfaqësuesen amerikane të futbollit të femra.

Vetë Rapino e pati cilësuar si një humor të zi dhe ironi të fatit qeshjen e saj, që më pas u shndërrua në lot, kur O’Hara humbi të 7-tën, që i eliminoi. Tanimë një nga ikonat e futbollit të femrave ka ulur siparin e një karriere të lavdishme dhe bashkë me të edhe të një epoke.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat