Rice dhe Caicedo thyen rekorde!

Futboll

Rice dhe Caicedo thyen rekorde!

Më: 2 shtator 2023 Në ora: 14:41
Rice

Merkato e zakonshme e një tjetër planeti në Premier League. Shpenzime në total që kalojnë goxha shumën e 2 miliardë eurove, me Chelsea-n që i vetëm ka kaluar kufirin e 500 milionëve.

Rekordi i lojtarit më të shtrenjtë në historinë e futbollit anglez u thye dy herë, fillimisht nga 122 milionët, përfshirë dhe bonuset, që Arsenali i dha West Hamit për Declan Rice dhe pastaj nga 133 milionët që Chelsea i pagoi Brightonit për Moises Caicedon.

Pastaj edhe vlerësime, që për pjesën tjetër të kampionateve të mëdha të Europës janë jashtë imagjnate, si ai i Al Ittihad për Salah, me Liverpoolin që u tha jo 175 milionë eurove për “yllin” egjiptian që Liga Saudite kërkonte ta bënte “xhevahirin e kurorës”. Edhe për këtë, pavarësisht parave saudite, Premier League mbetet padronia e merkatos.

Ishte vera e mesfushorëve, me mbi një miliard euro të investuara, shifër ku kontribuan edhe 70 milionë eurot e paguara nga Newcastle për Tonalin e Milanit.

Liverpooli e ka rindërtuar krejtësisht mesfushën, por të gjitha skuadrat e mëdha, duke nisur nga City, kanë shtuar lojtarë në këtë repart.

Ishte dhe merkatoja e të rinjve, me talent për të ardhmen. Caicedo, më i paguari i të gjitha kohërave, është vetëm 21 vjeç, teksa 10 blerjet më të shtrenjta të verës janë të gjitha nën moshën 25-vjeçare, me një moshë mesatare 21.9 vjec.

5 skuadra kanë shpenzuar më shumë se 200 milionë euro, 12 nga 20 kanë shkuar përtej 100 milionë eurove. Përjashtim bën vetëm Lutoni i sapongjitur, me një merkato prej 20 milionë eurosh.

City mbetet skuadra për t’u mposhtur edhe falë 252 milionëve të shpenzuara. Për dy titullarë si Gvardiol dhe Kovacic, si dhe dy diamante si Matheus Nunes dhe Jeremy Doku, të zgjedhur për të mos ndier largimet e Gyndogan e Mahrez si dhe dëmtimin e De Bruyne.

Arsenali ka provuar të reduktojë hendekun me 244 milionë të shpenzuar për Rice, Havertz dhe holandezin Timber. United ka bërë pazar në Itali, duke marrë një portier të ri, Onanan, nga Interi, një mesfushor Hojlund nga Atalanta dhe Amrabat nga Fiorentina, por në letër duket se mbetet forca e tretë e kampionatit.

Më pas vijnë Newcastle e Liverpooli, që me blerjen më të shtrenjtë për 70 milionë, Szabolszai, synojnë të reduktojnë diferencat me kreun.

Chelsea ka shpenzuar sërish sa gjithë kampionatet e tjera dhe ka ndryshuar skuadrën duke synuar te premtimet e së ardhmes: Caicedo e Lavia kushtuan në total 196 milionë euro, por së bashku bëjnë vetëm 40 vjeç dhe në total kanë 75 prezenca në Premier. Mes atyre që janë pas, Tottenhami ka shpenzuar thuajse 270 milionë, për të harruar largimin e Harry Kane, “ylli” më i madh që la Premier League këtë verë, për 115 milionë euro plus bonuset. Prej Spurs-ave erdhi goditja e fundit, Johnson nga Forest për 50 milionë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat