Ajet Shosholli: A po rritet FC Ballkani në brend të futbollit të Kosovës?

Futboll

Ajet Shosholli: A po rritet FC Ballkani në brend të futbollit të Kosovës?

Nga: K.G. Më: 2 shtator 2023 Në ora: 16:16
Ajet Shosholli

Kampioni i Kosovës, Ballkani i Therandës, po shkëlqen në garat evropiane.

Klubi nga Theranda është në fazën e grupeve në Conference League në futboll, për të dytin vit rresht. 

Është në Grupin C me Dinamon e Zagrebit, Plzenin dhe Astanën.

Trajneri i trajnerëve në Kosovë, Ajet Shosholli, selektori i parë i kombëtares së Kosovës, kryetrajner i gjeneratës së artë të Prishtinës (1984-1985), ka fjalë miradije për Ballkanin.  

“A po rritet FC Ballkani në brend të futbollit të Kosovës?

Nuk thuhet rastësisht se: ‘Futbolli është gjëja më e bukur e rendit të dytë në botë’.

Këtë epitet futbolli e ka marrë, pasi që është loja më e preferuar, më e shikuar dhe më e dashur në të gjithë globin tokësor, gjë e cila u vërtetua edhe në kampionatin e kaluar botëror (2022), ku sipas të gjitha analizave kishim një globalizim të futbollit, me pjesëmarrjen e të gjitha kontinenteve të botës.

Por atë që dua ta shkruaj është, se tani në Kosovë e kemi një ekip apo FC Ballkanin, ekip e cila me paraqitjet e tyre në garat ndërkombëtare po na bënë krenar dhe po ndihemi mirë të gjithë ne qe jemi afër futbollit dhe të gjithë opinionin futbolldashës në Kosovë dhe më gjerë”, ka shkruar Shosholli në profilin e tij në facebook.

Shosholli thotë se është një bukuri për futbollin tonë, Ballkani për dy vite rresht është në fazën e grupeve të Conference League. 

“Për këto dy vite Ballkani po arrin që të jetë dy herë radhazi të jetë kampion i Kosovës (ekip e parë që pas pranimit në UEFA) ka arrit që të mbrojë titullin dhe që dy herë radhazi  po plasohet në fazën e Conference League.

Rezultate që janë për t'u vlerësuar dhe që nuk janë të rastësishme, por të arritura me një organizim të mirëfilltë të klubit në aspektin profesional, organizativo - profesional dhe në aspektin e menaxhimit të klubit”, ka nënvizuar Shosholli. 

Trajneri i mirënjohur ka treguar pse klubi nga Theranda në këto tre vitet e fundit është më i suksesshmi. 

“Pse Ballkani në këto tri posaçërisht dy vitet e fundit, është klubi më i suksesshëm kosovar?

 “Janë tri segmente në lojën e futbollit, që është shumë vështirë të ngriten paralelisht në të njëjtën kohë në nivel shumë të lartë.

1. Segmenti i pare është formimi i fondit të futbollistëve me profil cilësor dhe të balancuar në të gjitha repartet e ekipit.

2. Segmenti i dytë është loja cilësore dhe kreative e ekipit, e cila e ka kuptimin e plotë kur prodhon edhe rezultate pozitive dhe lojë e cila e tërheq publikun në tribunat e stadiumit.

3. Segmenti i tretë është afirmimi - prodhimi i futbollistëve të cilët janë interesant për treg, apo export - transfere për klubet evropiane dhe gjenerojne të ardhura financiare për klub 

Fatbardhësisht të tria këto segmente FC BALLKANI i ka pas në një nivel mjaft të lartë, duke filluar prej fondit të futbollistëve me profil cilësor dhe me zëvendësime adekuate, sipas nevojës dhe momentit.

Pastaj ka pas dhe e ka një lojë të pëlqyer dhe kreative, me rezultate pozitive që po e mbushë stadiumin me publike”, ka shpjeguar Shosholli.

Përmes Ballkanit janë afirmuar edhe shumë futbollistë dhe disa tani luajnë në ekipet e shteteve të ndryshme evropiane. 

“Më e rëndësishme është se për këto dy vite BALLKANI , ka prodhuar rezultate të cilat kanë gjeneruar të hyra financiare nga organet e UEFA-s për rezultatet e arritura.

Dhe kur i shtojmë edhe të hyrat nga transferet e futbollistëve në ligat evropiane, futbollistë të cilët janë afirmuar në ekipin e Ballkanit.

Kur jemi të afirmimi i futbollistëve, të theksoj se në tri vitet e fundit, në këtë ekip janë afirmuar shumë futbollist duke filluar së pari prej Jetmir Topallit, Blendi Baftiut, Arbër Hoxhës, për t'u zëvendësuar me plotë sukses (pas shkuarjes se tyre) me Ermal Krasniqin, Albion Rrahmanin, Lindon Emërllahun, Qëndrim Zybën.

Pas shkuarjes të E. Krasniqit , A. Rrahmanit dhe tani  M. Korenicës, po shihet që me sukses po zëvendësohen nga Tolaj, Kryeziu, Berisha dhe tani Arb Manaj.

Të gjitha këto lëvizje të ekipit janë menaxhuar shumë mirë më zëvendësime adekuate, ku është ruajtur balancimi i cilësisë në ekip.

 Dhe kur e bëjmë sublimimin e të gjitha këtyre lëvizjeve, me rezultate dhe menaxhim shumë të suksesshëm, në të gjitha këto segmente, mund të themi se BALLKANI po rritet në një BREND të futbollit kosovar.

Urojë që edhe disa klube tona që po investojnë shumë në klubet e tyre, në të ardhmen të kenë suksese në paraqitjet e tyre në garat ndërkombëtare ku do ta ngrisin imazhin e tyre, por njëkohësisht edhe imazhin e futbollit kosovar.
BALLKANIT urime dhe suksese në fazën e grupeve të Comference League”,
ka përfunduar Shosholli.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat