"Ramiz Sadiku", klubi që numëron mbi 400 talentë të futbollit dhe nuk di për krizë financiare

Futboll

"Ramiz Sadiku", klubi që numëron mbi 400 talentë të futbollit dhe nuk di për krizë financiare

Më: 3 shtator 2023 Në ora: 13:09
Klubi Ramiz Sadiku

Klubi i futbollit “Ramiz Sadiku”, është njëra nga klubet me akademinë më të fortë në Kosovë nga e cila nga viti në vit, dalin në skenë emra që bartin edhe fanellën e Kombëtares së Kosovës.

Momentalisht, në këtë klub janë të anëtarësuar mbi 400 fëmijë që stërviten me qëllimin që një ditë të bartin fanellën e Kosovës, por edhe të luajnë në klubet elitare evropiane.

Drejtori sportiv i klubit, Agron Mecinaj, ka thënë për KosovaPress, se menaxhimi i një klubi me numër kaq të madh të anëtarëve nuk është fare i lehtë, por që kjo bëhet e mundur kur bashkëpunon me një staf adekuat të trajnerëve dhe drejtuesve.

“Nuk është e lehtë, por as e vështirë nuk është nëse e ke stafin adekuat që e ke përzgjedhur për të bashkëpunuar. Unë jam shumë i kënaqur me stafin, trajnerët, koordinatorët e sekretarin në klub, kështu që kanë ndikuar edhe kushtet, infrastruktura pas investimit të ministrisë që e ka bërë në terrenin sportiv, ka ndikuar shumë pozitivisht që janë lajmëruar shumë fëmijë, është rritur numri i nxënësve, kemi mbi 400 fëmijë që janë të regjistruar në shkollën e futbollit, trajnerët i kemi besoj shumë të mirë.”, tha Mecianj.

Puna që bëhet me talentët e rinj, ka bërë që nga ky klub të dal një kampion si Amir Rrahmani, por edhe emra të tjerë si Blendi Baftiu Almir Hajzeraj e Dril Hazrollaj.

“Shumica e lojtarëve në Superligë që janë, duke filluar nga Almir Hajzeraj, Drilon Hazrollaj, Veli që është në Malishevë, Armend Halili, Blendi Baftiu, e kanë kaluar kohën më të madhe të shkollimit në klubin tonë. Veliu që ka shkuar në Turqi, edhe ai ka qenë një periudhë dy, tre vjeçare në klubin tonë, kështu që ka lojtarë mjaftueshëm që kanë frekuentuar në faza të ndryshme te ne dhe që janë zhvilluar që kanë arritur pastaj të kalojnë në klube jo vetëm rajonale por edhe më tutje siç është rasti i Rrahmanit për të cilin të gjithë jemi krenar, jo vetëm ne që ka qenë pjesë e jona.”, theksoi Mecina.

Derisa shumica dërmuese e klubeve në Kosovë përballen me telashe serioze financiare, drejtori i “Ramiz Sadikut”, thotë se për këtë klub kjo problematikë nuk ekziston fare.

“Te problemet financiare kemi pasur derisa është bërë infrastruktura. Prej që është bërë infrastruktura, ne jemi të fokusuar që mjetet që i paguajnë për anëtarësi fëmijët t’i shfrytëzojmë për staf, për kushte sa më të mira për punë, për pajisje të punës. Qëllimi ynë është që të bëjnë një punë s amë të mirë trajnerët që të nxjerrin në treg sepse prej asaj e shohim ne që mund të përfitojmë diçka. Nga anëtarësia, këto pothuajse shpërndahen për nevojat që i ka klubi gjatë kampionatit.”, bëri të ditur Mecinaj.

Madje, Mecinaj zbulon për KosovaPress, se vetëm nga Ligji i Sponzorizimit janë duke pritur që këtë vit t’i përfitojnë rreth 30 mijë euro.

“Shkolla jonë nuk kemi qenë të interesuar tek sponzorët më përpara. Është viti 2023 që kemi bërë kontrata e para për sponzorizim. Kemi diku 20 deri 30 mijë euro që presin nëse i lëshon ministria sepse ende, për arsye të veta, ndoshta komisionet kanë punë të ngarkuar, mirëpo ne presim që të lëshohen vërtetimet që të na lejohen ato...Unë nuk po them që nuk na duhet ndihma, na duhet ndihma e federatës, e komunës, e shtetit, mirëpo me investim në infrastrukturë, tek ne çfarë ka ndodhur, prej që e kemi stadiumin, me kushte, me ndriçim, mundemi edhe në mbrëmje ushtrimet që t’i mbajmë, është rritur numri i të interesuarve që të jenë pjesë e klubit..Kështu që është një buxhet që grumbullohet dhe atë buxhet e menaxhojmë, e lodhim pa kokën.”, ka thënë Mecinaj.

Sa i përket skuadrës së parë, KF “Ramiz Sadiku” garon në Ligën e Parë dhe Mecinaj thotë se synojnë që këtë sezon të jenë në pjesën e sipërme të tabelës.

“Është fillimi i kampionatit, ndoshta është herët për të thënë kështu, por unë jam i kënaqur me punën që ka bërë trajneri me grupin. Është një grup shumë i mirë, kryesisht të rinj, janë të gjithë djem ose të shkollës sonë ose të shkollave përreth në rrethinë të Prishtinës që janë shkolluar nëpër shkolla. Unë besoj shumë që me potencialin dhe me ushtrimet, me lojën që jemi duke e bërë, besoj që do të jemi në pjesën e sipërme të tabelës gjatë këtij kampionati.”, tha Mecinaj.

Së fundmi, Komuna e Prishtinës ka nisur ndërtimin e tribunave për tifozë në klubin e futbollit “Ramiz Sadiku” dhe faza e parë e punimeve të vrazhda, sipas Mecinajt pritet të përfundojë gjatë kësaj vjeshte

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat