Tuchel në rrezik

Futboll

Tuchel në rrezik

Më: 6 shtator 2023 Në ora: 16:39
Tuchel

Thomas Tuchel thuhet se ka irrituar bordin e Bayern Munichut me sjelljen e tij “të çrregullt” gjatë merkatos së verës.

Ishte një verë e përzier për gjigantët e Bundesliga-s pasi ata nënshkruan objektivin kryesor Harry Kane nga Tottenham, por nuk arritën objektiva të tjerë.

Bayern kompletoi nënshkrimin e yllit anglez për 104 milionë sterlina, si dhe marrëveshje për të sjellë Konrad Laimer, Kim Min-Jae dhe Raphael Guerreiro në klub.

Megjithatë, klubi humbi nënshkrimin e Declan Rice nga West Ham përpara se ai të shkonte tek Arsenal, dhe një marrëveshje për të nënshkruar me Joao Palhinha dështoi në ditën e fundit të merkatos.

Pas fitores 2-1 të klubit ndaj Borussia Monchengladbach, Tuchel, 50 vjeç, zbuloi se ai mendonte se skuadra kishte mangësi në mbrojtje.

Ai tha: “Skuadra është pak e vogël. Ne kemi gjashtë lojtarë mbrojtës të stërvitur për një skemë me katër lojtarë, gjë që s’është perfekte”.

Që atëherë është pohuar nga gazeta gjermane BILD, se komentet “negative” të Tuchel kanë acaruar bordin e klubit.

Thuhet se deklarata e trajnerit u prit me “hutim” nga bordi, të cilët menduan se kishin bërë gjithçka për të nënshkruar me Palhinha.

Ndërkohë që pohohet gjithashtu se bordi mendoi se Tuchel po përpiqej të ishte shumë “kreativ” me emrat që i sugjeronte klubi, gjë që ka bërë drejtuesit ta konsiderojnë sjelljen e tij “të çrregullt”.

Tuchel besohet se ka preferuar që klubi të kishte nënshkruar me Rice në vend të Kane, ndërsa bordi e pa sulmuesin si përparësi.

Pasi Kane mbërriti, bordi iu dorëzua kërkesave të Tuchel dhe u përpoq të nënshkruante një lojtar të ngjashëm me Rice.

Klubi nuk mund t’i përballonte të dyja blerjet, me Rice që gjithashtu ka kushtuar 105 milionë sterlina këtë verë.

Kjo çoi në lëvizjen për yllin e Fulham-it, e cila ishte afër përfundimit në ditën e fundit para se të dështonte.

Ndërsa Bayern e lejoi Benjamin Pavard të transferohej tek Inter-i dhe zgjodhi të mos lëvizte për Joao Cancelo, klubi ka mbetur pa shumë alternativa në mbrojtje.

Megjithatë, bordi nuk u bind nga objektivat e Tuchel, që ishin Armel Bella-Kotchap i Southampton dhe Trevoh Chalobah i Chelsea.

Pavarësisht problemeve jashtë fushe, Bayern e ka nisur në mënyrë të shkëlqyer sezonin e ri.

Kampionët kanë fituar tri ndeshje nga tri dhe janë të dytët në Bundesliga, vetëm pas Bayer Leverkusen-it për shkak të diferencës së golave.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat