Hadërgjonaj thotë se Zvicra nuk vjen për të luajtur ndeshje vëllazërore kundër Kosovës

Futboll

Hadërgjonaj thotë se Zvicra nuk vjen për të luajtur ndeshje vëllazërore kundër Kosovës

Më: 7 shtator 2023 Në ora: 21:04
Hadërgjonaj

Ekipi i Kombëtares së Kosovës zhvilloi sot seancën e radhës stërvitore para ndeshjes së rëndësishme me Zvicrën, në kuadër të kualifikimeve për në Kampionatin Evropian Euro 2024.

Atmosfera dhe puna e futbollistëve ishte mjaft e mirë në këtë stërvitje, dhe Florent Hadërgjonaj u shpreh optimist se “Dardanët” mund t’u kthehen rezultateve pozitive ndaj një kundërshtari të fortë si Zvicra, raporton KosovaPress.

Hadërgjonaj, i lindur dhe i rritur në Zvicër, tha se ekipi duhet të luftojë maksimalisht në fushë, ngase Zvicra vjen për tre pikë në këtë ndeshje, dhe jo për të zhvilluar një vëllazërore ndaj Kosovës.

“Duhet të jemi të bashkuar, pasi e dimë se do të jetë një ndeshje e vështirë. Besoj se ekipi do të jetë gati për këtë përballje. Zvicra do të vij për tre pikë. Kanë mungesë të pikëve dhe nuk do të vijnë të na falin pikë apo të luajnë ndeshje vëllazërore”, tha Hadërgjonaj.

“Na duhet mbështetje e madhe për të na motivuar, pasi luajmë këtu në ‘Fadil Vokrri’. Edhe po të luanim në Zvicër, stadiumi do të ishte i mbushur me shikuesit tanë. Por ndeshja këtu do të jetë diçka më speciale. Edhe për zviceranët do të jetë e veçantë, ashtu si edhe për ne. Kur luajmë në shtëpi e japim maksimumin. Tifozët mbrapa na japin zemër dhe besoj se edhe në fushë duhet të luajmë me zemër, në mënyrë që edhe tifozëve t’u japim energji për të na përkrahur më shumë. Kemi ushtruar shumë fort dhe synimi është t’i kthejmë rezultatet pozitive për të kthyer përkrahjen edhe më të madhe të tyre. Pasi së fundi ka qenë një kohë e vështirë ku na kanë munguar rezultatet, por tash e kemi rastin kundër një kundërshtari të fortë në shtëpi të kthejmë pozitivitetin”, tha më tej Hadërgjonaj.

Kosova luan me Zvicrën këtë të shtune me fillim nga ora 20:45 në stadiumin “Fadil Vokrri”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat