Shehi: Nuk është emocioni i viteve të kaluara për shkak të formulës

Futboll

Shehi: Nuk është emocioni i viteve të kaluara për shkak të formulës

Më: 17 shtator 2023 Në ora: 15:09
Shehi

Trajneri i Tiranës, Orges Shehi, është shfaqur sot para gazetarëve duke dhënë mendimet e tij për duelin kundër Kukësit që bardheblutë luajnë nesër në transfertë.

“Luajmë përballë Kukësit, që më se kam memorie, është hera e parë që ndodhet në këtë pozitë.

Ka qenë gjithmonë skuadër që ka tentuar që te jetë në majat e renditjes. Skuadra e Kukësit ka bërë në ndeshjen e fundit një paraqitje të mirë me Dinamon, edhe për meritë të trajnerit, sepse kanë tani një trajner me eksperiencë të madhe në futbollin shqiptar.

Ai di të vendosë skuadrën mirë dhe të marrë më të mirën e skuadrës së vet. Kjo na shton shkallën e vështirësisë dhe duhët të jemi të bindur që nuk luajmë përballë një kundërshtari me 0 pikë, por ndaj një kundërshtari që kërkon pikë që të ngjitet në renditje.

Ritëm ndryshe për shkak të formulës? Jam shprehur edhe më parë që ndoshta pak ai emocioni, ndoshta nuk ka qenë si në kampionatet e kaluar. Një skuadër që formatohet mirë dhe ka elementë e është pretendente, mund të ketë pak heqje këmbe nga gazi pasi thotë që e katërta mbërrij. Ne nuk duam që kjo të ndodhë me ne, edhe pse është formati që katër të parat luajnë me njëra tjetrën dhe renditja nuk ka rëndësi të madhe. Ne kërkojmë të jemi gjithmonë siç i ka hije këtij klubi që të luftojmë gjithmonë për çdo ndeshje.

Lulaj u rikthyer që javën e kaluar dhe është pjesë e skuadrës. Na mungon ende Deliu për arsye dëmtimi dhe shpresojmë të kthehet sa më shpejt.

Nga çfarë thonë mjekët, pas ndeshjes së nesërme do vazhdojë të jetë me grupin. Është një vlerë që na shtohet në skuadër.

Mendoj se nga java në javë do të vijë në rritje, jo vetëm ne, por edhe të gjithë. Jo të gjitha skuadrat kanë formën më të mirë në fillim, forma rritet dhe performanca rritet se ndeshjet të japin vazhdimësinë që të arrish në formë sa më shpejt se i tillë është kampionati, Jo që në fillim jepet më e mira.

Shpresojmë të na ecë në këtë drejtim edhe për shkak të ngjeshjes së ndeshjeve në këtë periudhë, të mos kemi dëmtime, pra grupin ta kemi të plotë që të mund të bëjmë rotacion në skuadër.

Hoxhallari është i sigurt që kthehet se nga dje ka punuar me skuadrën. Ndërsa për Najdovskin klubi po punon dhe të të shohim a do të jetë i gatshëm pas pezullimit apo jo.

Ne kemi një miks lojtarësh në stol, të paktën herën e fundit kishim 2-3 lojtarë me eksperiencë por edhe të rinj. Ajo situatë e pezullimit të Najdovskit na bëri të improvizojmë pak në mbrojtje me Përgjonin në qendër e Micin në krah. Por në një kampionat të gjatë, për një ekip është normale që të ketë 16-17 lojtarë të përafërt me njëri-tjetrin që rendimenti të mos bjerë. Dhe sigurisht kur ke rezultatin dhe mundësinë, mund të futësh ndonjë element të ri, se është më mirë të marrin gradualisht eksperiencë se të bijë përgjegjësia mbi ta.

Ne edhe pse jemi skuadër e re, përballë dy kundërshtarësh të fortë në Europë jemi paraqitur mirë. E mira nuk ka fund. Por në këto 3 javë kemi shënuar 8 gola, nuk është keq. Sigurisht ka disa problematika të vogla për t’u zgjidhur dhe shpresojmë që i përmirësuam pak në këtë ndeshje edhe pse pësuam gol aksidental në fillim të lojës. Por nuk kishim ato problematika që kemi pasur në dy ndeshjet e para”, tha Shehi para gazetarëve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat