Shqipëria vijon stërvitjen, Grima fton dy futbolliste për sfidën ndaj Hungarisë

Futboll

Shqipëria vijon stërvitjen, Grima fton dy futbolliste për sfidën ndaj Hungarisë

Më: 20 shtator 2023 Në ora: 15:57
Shqipëria

Kombëtarja shqiptare e vajzave vijon në mënyrë intensive përgatitjet për ndeshjen e parë kundër Hungarisë, e vlefshme për Ligën e Kombeve për këtë kategori.

Vajzat kuqezi, të cilat drejtohen nga trajneri Armir Grima janë grumbulluar që prej të hënës në Shkodër dhe po zhvillojnë seancat stërvitore në fushën e stadiumit ‘Loro Boriçi’, ku do të luhet edhe sfida.

Dy ditë përpara ndeshjes kundër Hungarisë, Departamenti i Komunikimit në FSHF bën me dije se lista e futbollisteve të grumbulluara nga trajneri Grima pëson disa ndryshime. Tekniku kuqezi ka vendosur të thërrasë për sfidën kundër Hungarisë mbrojtësen Endrina Elezaj dhe mesfushoren Qëndresa Krasniqi.

Ndërkaq, Mimoza Hamidi ka pësuar një tërheqje të kuatricepsit gjatë stërvitjes me skuadrën, ndërsa po ndiqet me kujdes nga stafi mjekësor i skuadrës dhe po bën terapitë e nevojshme për të qenë gati për sfidën e parë.

Edhe Esmeralda Franja e Kristina Maksuti kanë shfaqur probleme gjatë seancave stërvitore, por kanë vijuar normalisht me stërvitjet.

Vajzat “kuqezi” do të stërviten sot e nesër, ndërsa të premten do të zhvillojnë sfidën e parë kundër Hungarisë në stadiumin ‘Loro Boriçi’ në Shkodër në ora 17:00.

Ndër të tjera, FSHF fton të gjithë tifozët shqiptarë të mbështesin Shqipërinë e vajzave në këtë edicion të ri të Ligës së Kombeve, ndërsa bën me dije se hyrja në stadiumin ‘Loro Boriçi’ është falas.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat