Shqipëria mposht sërish Maltën, dy gola të Rifës vendosin sfidën 

Futboll

Shqipëria mposht sërish Maltën, dy gola të Rifës vendosin sfidën 

Më: 20 shtator 2023 Në ora: 19:56
Shqipëria

Shqipëria U-17 ka zhvilluar miqësoren e dytë ndaj Maltës U-17, sfidë që u luajt në Shtëpinë e Futbollit dhe përfundoi me fitoren 2-1 të kuqezinjve, që bënë një paraqitje të mire, duke dominuar 90 minutat.

Trajneri kuqezi, Ardi Behari e nisi lojën me këtë formacion: Etem Xhemali, Davide Avdullari, Kris Gecaj, Renato Halili, Fabjano Nuhaj, Mattia Huqi, Eraldo Karaj, Oresti Rifa, Brayan Gjyla, Xheto Joi Nuredini, Tedi Malaj.

Malta tenton që në prekjen e parë të topit, me një goditje që nga mesi i fushës, për të befasuar portierin Xhemali, por topi përfundon jashtë. Megjithatë, kuqezinjtë marrin menjëherë frenat e lojës në dorë dhe duhen vetëm katër minuta për të zhbllokuar rezultatin. Oresti Rifa merr një top në të djathtë dhe pasi drbilon disa kundërshtarë godet saktë në pozicion diagonal dhe e dërgon topin në rrjetë për 1-0.

Vetëm tre minuta më pas një tjetër aksion i bukur për kombëtaren shqiptare me Gjylën që jep një pasim të bukur infiltrues për Rifën, i cili pasi kontrollon topin në zonë gjuan me të djathtën dhe shënon, duke dyfishuar shifrat.

Kuqezinjtë shfrytëzojnë momentin e mirë dhe i afrohen sërish golin me protagonist, i cili në minutën e 13-të provon në zonë me një gjuajtje me kthesë, që përfundon jashtë, ndërsa dy minuta më pas tenton sërish me një tjetër gjuajtje në zonë me portierin maltez që këtë herë i mohon golin.

Edhe në minutat në vazhdim Shqipëria vazhdon të jetë në kontroll të lojës, duke krijuar disa raste të tjera për shënim, ku mund të veçohet ai i Avdullarit, i cili fare afër portës e dërgon topin jashtë.

Në pjesën e dytë, Malta bën tre zëvendësime, duke freskuar forcat në fushë, por është sërish Shqipëria me Kris Gecajn dhe Eraldo Karajn, që kanë raste të mira për shënim, pa finalizuar siç duhet. Malta arrin të dalë në anët e portës kuqezi dhe ka dy raste të shpejta, por është portieri Xhemali që në të dyja shanset reagon mirë duke shmangur golin.

Gjithsesi, në minutën e 63-të Malta arrin të ngushtojë shifrat në 2-1 falë golit të shënuar nga Thomas Melillo me një goditje dënimi jashtë zone.

Në minutën e 75-të, Gjyla, një nga më të mirët në fushë, arrin të shënoj një gol, që do të anulohet për shkak të pozicionit jashtë loje.

Më pas është Malaj që shfrytëzon mirë një top në qendër të zonës, por gjuajtja e tij bllokohet vetëm në vijën fatale nga mbrojtja malteze. Gici I ardhur nga stoli ka një tjetër shans për gol, që nuk shfrytëzohet siç duhet në finalizim, ndërkohë që për të disatën herë Gjyla është shumë afër golit të tretë për Kombëtaren.

Në minutat e fundit rezultati nuk ndryshon dhe Shqipëria merr fitoren e dytë me Maltën, këtë herë 2-1, pas suksesit të dytë ditëve më parë, ku triumfoi me rezultatin 2-0.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat