Bylis dhe Lushnja nuk gabojnë në transfertë, Tomori mposht Kastriotin

Futboll

Bylis dhe Lushnja nuk gabojnë në transfertë, Tomori mposht Kastriotin

Më: 23 shtator 2023 Në ora: 19:38
Foto ilustrim

Bylis nuk gaboi në transfertë ndaj Luzit me ballshiotët që fituan me shifrat 1-2.

Të tre golat e sfidës u shënuan në pjesën e dytë ndërsa ishin vendasit që kaluan të parët në avantazh me anë të Trenit që në minutën e 52-të nuk gaboi nga pika e bardhë e penalltisë.

Megjithatë, reagimi ishte i shpejtë nga kampi mallakastriot teksa në të 67-tën shifrat u barazuan nëpërmjet Kibes.

Në minutën e 90-të, Bylis shënoi edhe golin e fitores me anë të Ceesay.

Një trepikësh me shumë vlera për ballshiotët që shkojnë në kuotën e 10 pikëve pas katër javëve të para duke marrë edhe kryesimin e Kategorisë së Parë. Ndërkohë, një fitore në transfertë arriti edhe Lushnja që mposhti me shifrat 0-2, Burrelin. Miqtë shënuan nga një gol për pjesë duke iu gëzuar realizimeve të Cankës dhe Ayinde.

Ky ishte edhe trepikëshi i parë për Lushnjen në këtë sezon të Kategorisë së Parë ndërsa Burreli mbetet në fundin e renditjes me vetëm një pikë. Sakaq, edhe Tomori ia doli me sukses në shtëpi ndërsa fitoi minimalisht me rezultatin 1-0 ndaj Kastriotit. Vendimtar për beratasit në këtë ndeshje ishte goli i Hysollit në minutën e 34.

Në ndeshjen tjetër të Kategorisë së Parë, Korabi mposhti me shifrat 2-0 Besën e Kavajës falë golave të Bockas në minutën e 78 dhe Nurit në të 90-tën.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat