Miqësorja e parë në Shqipëri, Kombëtarja e të amputuarve luan me Kosovën

Futboll

Miqësorja e parë në Shqipëri, Kombëtarja e të amputuarve luan me Kosovën

Më: 5 tetor 2023 Në ora: 15:33
Kombëtarja e të amputuarve

Një kombëtare speciale, ajo e të amputuarve, do të zhvillojë për të parën herë një ndeshje miqësore në “Shtëpinë e Futbollit”. Kuqezinjtë kanë programuar një ndeshje miqësore ndaj përfaqësueses së të amputuarve të Kosovës. Sfida është programuar të luhet ditën e diel, më 8 tetor, në orën 10:00.

Kjo sfidë do t’i shërbejë Kombëtares shqiptare të të amputuarve për t’u përgatitur për turneun e Ligës së Kombeve, që do organizohet nga Federata Europiane e Futbollit për të Amputuar në bashkëpunim me UEFA-n në Skoci në datat 27-29 tetor.

Kombëtarja shqiptare garon në Divizionin D të Ligës së Kombeve të Futbollit për Amputuar së bashku me Kosovën, Azerbajxhanin, Holandën dhe Skocinë, kurse ndeshjet do të luhen në qendrën sportive Dalgety Bay, Fife, Skoci.

Kjo është hera e parë, që Kombëtarja shqiptare e të amputuarve merr pjesë në një turne madhor zyrtar. Turneu i Ligës së Kombeve ka një rëndësi të madhe, pasi të jep mundësinë për t’u kualifikuar për në finalet e Euro 2024 për të amputuarit.

Kombëtarja më e veçantë kuqezi është krijuar disa vjet më parë, e mbështetur në çdo aspekt nga FSHF, e cila ka në fokus rëndësinë e përgjegjësisë sociale për të ndikuar pozitivisht në shoqëri nëpërmjet lojës së futbollit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat