​Sylvinho flet para ndeshjeve me Çekinë e Bullgarinë

Futboll

​Sylvinho flet para ndeshjeve me Çekinë e Bullgarinë

Më: 7 tetor 2023 Në ora: 14:50
​Sylvinho

Trajneri i Kombëtares së Shqipërisë, Sylvinho ka folur sot në një konferencë për media për ndeshjet e ardhshme ndaj Çekisë dhe Bullgarisë.

Shqipëria do të luaj fillimisht kundër Çekisë në kuadër të kualifikueseve drejt Kampionatit Evropian “Gjermania 2024”, ndërsa më pas do ta zhvillojë miqësoren ndaj Bullgarisë.

Sylvinho fillimisht foli për objektivin ndaj Çekisë, ku tha se në fushë mund të ndodhë gjithçka pasi që ka kampionë në të dyja kombëtaret.

“Siç e kam thënë që në fillim, që në muajin mars, llogaritë tona duhet t’i bëjmë në nëntorë dhe jo tani. E kemi thënë gjithmonë që është një grup shumë i fortë, jemi në një grup shumë të fortë, ka shumë ekuilibër, dhe nuk jemi në gjendje të bëjmë llogaritë tani sepse kemi përpara një sfidë shumë të rëndësishme dhe të vështirë. Sigurisht luajmë në shtëpinë tonë, atmosfera do të jetë shumë e bukur, kemi mbështetjen e tifozëve tanë dhe gjithçka mund të ndodhë, por ne do të kemi në fushën tonë kampionë në të dyja anët”, tha Sylvinho.

Më tej, Sylvinho treoi edhe për strategjinë që do ta përdorë në ndeshjen ndaj çekëve.

“E kemi thënë shpesh që kemi përballë një rival të vështirë dhe normalisht që nuk është e lehtë që të kuptosh se çfarë strategjie ka menduar një rival në një ndeshje të tillë. Por sigurisht që është një histori tjetër, është një ndeshje tjetër, do të jemi dy ekipe që kemi pikat tona të forta dhe të dobta dhe sigurisht secili do të bëjë strategjinë e vet, është krejt normale. Por dua të theksoj që do të jetë një ndeshje shumë e bukur, ashtu si edhe në Pragë do të jetë një ndeshje ku do të ketë shumë vlera teknike dhe fizike. Do të jetë një ndeshje e shpejtë me tranzicione, ku do të ketë shumë energji të shpenzuara në fushën e lojës. E njëjta gjë ndodhi edhe në ndeshjen e parë në Pragë, pak a shumë e njëjta histori në këtë sens, pra figura e përmbledhur është e njëjta. Ne e kemi parë dhe riparë sigurisht ndeshjen, Çekia është një kundërshtar shumë i fortë, vjen me katër, pesë lojtarë në zonë me krosime dhe lojtarët janë shumë të gjatë, gjë që e kemi thënë edhe në të kaluarën. Sigurisht do të jetë një ndeshje krejt ndryshe për t’u parë”, tha Sylvinho.

Ndërkaq, për miqësoren ndaj Bullgarisë, Sylvinho zbuloi nëse do të ketë emra të ri në grumbullim.

“Ne nisim tani përgatitjet për ndeshjen me Çekinë. E kemi thënë që kemi tre finale. Është një ndeshje shumë, shumë e rëndësishme, pastaj kemi miqësoren me Bullgarinë. Sigurisht që nuk më pëlqen të flas tani për miqësoren me Bullgarinë. Normalisht e kam mendjen vetëm te Çekia, pastaj mund të diskutojmë për ndeshjen me Bullgarinë. Sa u takon emrave konkretë që më pyetët, Muçolli është një lojtar që më pëlqen shumë, një mëngjërash, e kam ndjekur që prej gjashtë muajsh. Është një lojtar në formë, që po paraqitet shumë mirë në Suedi, po shënon gola. Në këtë moment që flasim kemi 25 lojtarë, madje kemi dy lojtarë më shumë se sa na duhen, pasi 23-shi është standard. Unë nuk mund të grumbulloj dot 30 apo 32 lojtarë, nuk është momenti. Unë mendjen e kam vetëm te ndeshja me Çekinë, se si ta përgatitim sa më mirë. Pas asaj ndeshje mund të flasim edhe për sfidën me Bullgarinë. Ka shumë lojtarë të tjerë rrotull nëpër Europë, shqiptarë që po luajnë mirë, që unë i ndjek dhe i shoh. Në të ardhmen mund të jenë me Kombëtaren. Në momentin që flasim nuk është koha për të bërë eksperimente, ndryshime. I vetmi ndryshim në listë është Roshi që mungon dhe ka ardhur Broja. Në të ardhmen do të flasim sërish”, tha Sylvinho.

Më 12 tetor Shqipëria e pret në “Air Albania” Republikën e Çekisë, kurse më 17 tetor “kuqezinjtë” luajnë sërish si vendas në miqësoren ndaj Bullgarisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat