Strakosha i pafat në shtesë, por vlerësohet me notën më të lartë

Futboll

Strakosha i pafat në shtesë, por vlerësohet me notën më të lartë

Më: 7 tetor 2023 Në ora: 19:35
Strakosha

Debutim i hidhur për Thomas Strakoshën, që luajti për herë të parë në Premier League, në një stadium mitik si “Old Trafford’ përballë Manchester United.

Gardiani kuqezi bëri një ndeshje perfekte, por u ndëshkua dy herë në minutat shtesë nga skocezi Scott McTomminay, i cili realizoi edhe përmbysjen e madhe duke i dhënë fitoren Manchester United me rezultatin 2-1.

I pafat mund të quhet Strakosha, që u vlerësua me notën 7.9 nga sajti i specializuar ‘Sofascore’, që evidentoi plot 6 pritje të portierit shqiptar, tre prej të cilave nga goditje brenda zonës dhe një grushtim.

Strakosha ishte më i vlerësuari mes lojtarëve të Brentford, teksa notë më të mirë se ai mori vetëm Scott McTomminay, që i shënoi dy gola.

Strakosha bëri mjaft mirë edhe në lojën me këmbë, duke fituar besimin e shokëve të skuadrës, aq sa preku topin plot 58 herë, një shifër kjo mjaft e lartë për një portier.

Gjithsesi festa në fund ishte për ‘djajtë e kuq’, me Strakoshën që do të duhet të mbajë në memorie pritjet e bukura, për të udhëtuar me moral të lartë drejt Shqipërisë, për sfidën ndaj Çekisë, mbrëmjen e 12 tetorit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat