Nga perla e Salihit te Broja, UEFA cakton si gjyqtar policin që u sjell fat kuqezinjve për duelin me Çekinë

Futboll

Nga perla e Salihit te Broja, UEFA cakton si gjyqtar policin që u sjell fat kuqezinjve për duelin me Çekinë

Më: 9 tetor 2023 Në ora: 19:46
Dani Makel

Ndeshja e Kombëtares shqiptare ndaj Çekisë, e vlefshme për kualifikueset e EURO 2024, do të gjykohet nga një emër i njohur në arnën ndërkombëtare, gjë që tregon edhe rëndësinë që ka kjo përballje. Gjyqtari holandez Dani Makeli, do të jetë në drejtim në sfidën delikate mes dy skuadrave që janë rivale direkte për kualf8ikimin në Europianin e vitit të ardhshëm.

Makeli, i cili në profesionin e tij të parë është inspektor policie në Holande, drejton prej vitesh në nivelet më të larta në futbollin ndërkombëtar. Ai ka drejtuar ndeshje të rëndësishme në Ligën e Kampioneve, si dhe finalen e Ligës së Europës mes Interit dhe Seviljes në vitin 2020, pa harruar këtu edhe ndeshje në aktivitete si Euro 2020 apo Botërori 2022, duke u vlerësuar ndër më të mirët në qarkullim.

Asistentë të tij në këtë sfidë do të jenë bashkëkombësit Hesel Stegstra dhe Jan De Vries, teksa edhe gjyqtari i katërt është holandezi Aleks Bos.

Kontakti i parë i Makelit me kombëtaren shqiptare ka qenë 10 vite më parë, teksa ai ka qenë gjyqtari i katërt i sfidës së marsit 2013 mes Norvegjisë dhe Shqipërisë, të fituar me shifrat 1-0 nga kuqezinjtë falë golit të Salihit. Më pas, atij iu desh të priste shumë vite për të drejtuar vetë si gjyqtar kryesor kuqezinjtë, teksa e bëri një gjë të tillë në shtatorin e vitit 2021. Ajo ishte ndeshja që Shqiqpëria fitoi me shifrat 1-0 ndaj Hungarisë falë golit të Armando Brojës në “Elbasan Arena”.

Një ogur i mirë padyshim për kuqezinjtë të cilët shpresojnë të vazhdojnë serinë e fitoreve me gjyqtarin holandez. Ai ka drejtuar më parë vetëm një herë kombëtaren e Çekisë, në humbjen 2-1 përballë Kosovës në vitin 2019.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat