Holanda, me formacion të brishtë

Futboll

Holanda, me formacion të brishtë

Më: 11 tetor 2023 Në ora: 17:40
Pamje nga një ndeshje

Holanda nuk është aspak e sigurt për praninë e saj në finalet e Euro 2024.

Aktualisht ajo ndodhet me pikë të barabarta me Greqinë në vendin e dytë, gjashtë pikë pas Francës.

E holandezët do të luajnë dy ndeshje tepër të rëndësishme tani, të premten presin Francën dhe të hënën udhëtojnë drejt Greqisë.

Dy ndeshje absolutisht vendimtare për të përcaktuar vendin e dytë në Grupin B për të cilin, trajneri Koeman do të duhet të improvizojë një njëmbëdhjetëshe me lojtarë pa përvojë. Kjo për faktin se lojtarë të rëndësishëm si Frenkie de Jong, Timber, De Ligt, Gakpo dhe Memphis, Koopmeiners, Noa Lang, Botman, Malacia apo Berghuis janë të dëmtuar.

Për rrjedhojë, Koeman ka qenë i detyruar të krijojë një skuadër me lojtarë të papërvojë, shtatë prej të cilëve nuk kanë luajtur asnjëherë me kombëtaren A si: Verbruggen, Olij, Van de Ven, Hartman, Frimpong, Maatsen dhe Brobbey.

Dhe jo vetëm këta por edhe shumë nga lojtarët e tjerë të grumbulluar nuk kanë luajtur as 10 ndeshje me kombëtaren: Calvin Stengs (7 ndeshje), Nopert e Xavi Simons (5), Ëieffer e Geertruida (4), Veerman (2) dhe Reijnders (1).

Në këto kushte Koeman duhet të bëjë një formacion me 11 lojtarë, konkurrues dhe të aftë për të luajtur si ekip, pavarësisht se kanë ndarë vetëm pak seanca stërvitore së bashku. Kujtimi i Eurokupës 2016 dhe Botërorit 2018, ku Holanda nuk arriti të kualifikohej, është ende mjaft i freskët në kujtesë. Por fati i kombëtares holandeze tashmë qëndron në këmbët e shumë lojtarëve të papërvojë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat