Dumfris: Interi është shtëpia ime

Futboll

Dumfris: Interi është shtëpia ime

Më: 12 tetor 2023 Në ora: 12:12
Dumfris

Anësori i Interit, Denzel Dumfris, po përgatitet për ndeshjet e radhës me kombëtaren holandeze dhe e para është ajo ndaj Francës.

Zikaltri është një pikë fikse e “tulipanëve” ashtu si edhe e Inzagit dhe në intervistën e tij në atdhe për “NOS” ka folur për sfidat e radhës së kombëtares, por edhe për të ardhmen e tij tek Interi. 

“Jam i fokusuar te dy ndeshjet e radhës të kombëtares.

Dhe unë përpiqem të përmirësohem në çdo seancë stërvitore dhe në çdo ndeshje. Mundohem të gjej vazhdimisht detaje për të përmirësuar.

Kjo ndodh jo vetëm sepse kam filluar të punoj mbi mentalitetin tim, por vjen edhe me eksperiencë. Fillimisht mëson situata të caktuara.

Në Itali luajnë shumë taktikisht. Tani jam në sezonin tim të tretë atje dhe vërej se po filloj të lexoj situata të caktuara më mirë”, është shprehur mbrojtësi i djathtë, i cili për sa i përket faktit që e ka cilësuar veten si lojtar me cilësi të dobët në të kaluarën, ka thënë:

“Nuk pendohem për deklaratat e mia. Por ndonjëherë dëgjoj njerëz që thonë këtë dhe mendoj se nuk është më e vërtetë. Duke pasur parasysh bagazhin teknik që kam tani, kjo nuk është më e vërtetë. Kam investuar shumë në këtë.

Unë kam ardhur vonë në futbollin profesionist dhe për mua ky ishte një hap i madh. Ndoshta kjo është ajo për të cilën jam më shumë krenar”.

Në fund Dumfris foli për Interin dhe për të ardhmen.

“Ndihem mirë tek Interi. Një klub fantastik, një klub i ngrohtë, njerëz fantastikë, tifozë fantastikë. Ndihem i privilegjuar që mund të luaj për Interin, ku ndihem si në shtëpinë time. Rinovimi? Do të shohim çfarë do të ndodhë në muajt e ardhshëm, jam kurioz”, përfundoi 27-vjeçari.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat