“Përqafova edhe kryeministrin”, Duka: Edhe në 2016 fituam 3-0, Sylvinho të bën për vete

Futboll

“Përqafova edhe kryeministrin”, Duka: Edhe në 2016 fituam 3-0, Sylvinho të bën për vete

Më: 12 tetor 2023 Në ora: 23:36
Duka në mes

Shqipëria fitoi me shifrat 3-0 ndaj Çekisë duke hedhur një hap të sigurt drejt kualifikimit në Euro 2024.

Pas kësaj sfide në emisionin “Kuqezi” foli edhe presidenti i Federatës së Shqipërisë, Armand Duka. Presidenti theksoi se Sylvinho ka një meritë të madhe për këto rezultate ndërsa shtoi se Shqipëria tashmë e ka ngritur shumë stekën dhe skuadrës i kërkohet shumë.

“Ishte ndeshje me presion të jashtëzakonshëm, kisha stres. Nuk e mendoja 3-0, do të isha i kënaqur edhe me një pikë. Çekët janë të fortë dhe këta i mundën falë grupit dhe zemrës. Hysaj dhe ata që kanë qenë në Europianin e kaluar kanë pasur nga momentet më të bukura në jetë”.

A është kjo skuadra më e mirë në drejtimin tuaj? “Këtë duhet ta thonë specialistët, kjo është skuadër fantastike, janë djem me mend dhe sedër. E duan njëri-tjetrin, nuk kemi superyje, por kemi një skuadër yll. Edhe në 2016-tën shkuam në Europian me fitoren 3-0 në CAS, edhe atëherë ishte djersa e çunave ashtu si sot.

2016 më ka shijuar pafund se ishte hera e parë, atëherë na akuzuan se nuk mund të shkonim në Europian. Tani e kemi ngritur stekën lart dhe duhet të shkojmë edhe në Botëror pasi përndryshe na shajnë. Në tribunë kam përqafuar kryeministrin dhe çdo njeri që më ka dalë përpara”.

Asani, Ramadani, Seferi që vijnë nga kampionati, shërbejnë si shembull për të tjerët? “Janë kontribues të mëdhenj, Asani ka realizuar tre gola fantastikë. Por, skuadra është e para, këta janë shembuj pozitiv. Çdo lojtar i shërben vendit si një model që motivon brezat”.

Sylvinho, i prisje këto rezultate kur arritët marrëveshjen?

“Kur vendos nuk mund të jesh i sigurt, por na bindi me projektin dhe kishte një ndjenjë pozitive që të bën për vete.

Sylvinho ka një meritë kryesore për këto rezultate, është regjizori. E ka thënë se ne jemi një, e ka thënë në shqip. Kjo ishte edhe për Ismajlin që nuk ishte, ka shumë merita Sylvinho”, u shpreh Duka.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat