Kombëtarja ka nevojë për tifozët “e vërtetë”!

Futboll

Kombëtarja ka nevojë për tifozët “e vërtetë”!

Më: 14 tetor 2023 Në ora: 15:30
Tifozët

Mjafton t’i hedhësh një sy faqes së shitjes së biletave për Shqipëri – Bullgari për të parë se disponueshmëria në shumicën e sektorëve të “Air Albania” është e lartë.

Në kontrast të plotë me ndeshjen me Çekinë, ku biletat avulluan për punë minutash, duke sjellë edhe ankesa nga ata që nuk mund të aksesonin në faqen përkatëse për shkak të mbingarkesës së serverave që nuk mund të përballonin rreth 300 mijë kërkesa, për miqësoren me Bullgarinë duket që shumica e vendeve janë ende të paprenotuara çka konfirmon një kërkesë shumë më të ulët për bileta.

Natyrshëm që rëndësia e sfidës me Çekinë ishte shumë më e madhe se testi i të martës me bullgarët , por gjithsesi kombëtarja është gjithmonë ajo, skuadra më e dashur e të gjithë shqiptarëve dhe si e tillë meriton përkrahjen në çdo dalje të sajën në fushë.

Mbi të gjitha ky është një rast i mirë jo vetëm për të përkrahur kuqezinjtë, por edhe për të shijuar ndoshta një Shqipëri me ndryshime për të cilat të gjithë jemi kuriozë, duke parë si titullarë pikërisht disa nga lojtarët që priten me shumë interes, nga Muci te Uzuni e Balliu.

Në sfidën me Çekinë stadiumi ishte i tejmbushur, edhe pse me sa duket për një pjesë të atyre që ishin aty prezenca në sfidat e rëndësishme të kombëtares konsiderohet si një event mondan, ku duhet të jenë për të provuar rëndësinë e tyre personale, pozicionin apo edhe mundësitë ekonomike.

Me gjithë respektin për ta, kjo sfidë me Bullgarinë duket se është më shumë për tifozët e vërtetë, ata që nuk bëjnë dallim kundërshtari kur në fushë zbret kombëtarja. Të kryqëzojmë gishtat që edhe këtë herë të jenë të shumtë. Kombëtarja ka nevojë për ta.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat