Trajneri Bushi fton dy futbollistë për sfidën ndaj Malit të Zi

Futboll

Trajneri Bushi fton dy futbollistë për sfidën ndaj Malit të Zi

Më: 15 tetor 2023 Në ora: 15:41
Kombëtarja shqiptare U-21

Kombëtarja shqiptare U-21 është rikthyer në Shqipëri ditën e djeshme, duke nisur menjëherë përgatitjet stërvitore për sfidën e radhës ndaj Malit të Zi U-21, e programuar për t’u zhvilluar të martën më 17 tetor në stadiumin “Arena Egnatia”.

Ekipi i drejtuar nga trajneri Alban Bushi është grumbulluar sërish në kompleksin “Tropikal” në Durrës.

Sa i përket gjendjes së ekipit, Cristian Shpendi dhe Enis Shabani kanë shfaqur probleme fizike pas ndeshjes me Finlandën U-21 dhe po mbahen në monitorim nga stafi mjekësor i skuadrës. Për këtë arsye, trajneri ka vendosur të thërrasë Stiven Bibo dhe Eljon Toçi.

Të dy lojtarët kanë qenë më parë pjesë e Kombëtares U-21. Mesfushori Bibo aktivizohet me skuadrën e Laçit në “Abissnet Superiore”, ndërsa sulmuesi Toçi luan me ekipin e Sestri Levante në Itali. Bibo dhe Toçi janë bashkuar me skuadrën në Durrës dhe janë vënë menjëherë në urdhrat e trajnerit Bushi.

Kombëtarja U-21, deri më tani në kualifikueset e “Euro 2025” ka zhvilluar tre ndeshje në grupin E dhe ndodhet në vendin e dytë me gjashtë pikë, po aq sa Zvicra që kryeson renditjen falë golavarazhit më të mirë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat