Gati krijimi për herë të parë i ekipeve përfaqësuese rajonale për vajza U-13 & U-14

Futboll

Gati krijimi për herë të parë i ekipeve përfaqësuese rajonale për vajza U-13 & U-14

Më: 22 tetor 2023 Në ora: 11:41
Pamje nga një ndeshje

Jo vetëm ekipe përfaqësuese rajonale për djem, por duke nisur nga ky sezon, në fushë do të zbresin edhe ekipet përfaqësuese rajonale për vajza.

Federata Shqiptare e Futbollit vjen me risinë e madhe këtë edicion futbollistik, në kuadër të mbështetjes së futbollit të vajzave në Shqipëri: krijimin e ekipeve rajonale për vajza për grupmoshat WU-13 dhe WU-14 dhe organizimin e ndeshjeve në formën e mini-turneve në Shtëpinë e Futbollit.

Ekipet përfaqësuese rajonale WU-13 dhe WU-14 do të krijohen në Shoqatat Rajonale Tiranë, Durrës, Shkodër dhe Fier. Si fillim, këto grupmosha do të luajnë në një ekip të vetëm rajonal dhe çdo shoqatë do të përfaqësohet me nga një skuadër në turneun e përfaqësueseve rajonale për vajza që organizohet për herë të parë.

Qëllimi kryesor i krijimit të këtyre ekipeve është që vajzat të luajnë futboll që në mosha të vogla, duke rritur kështu numrin e vajzave që aktivizohen në këtë sport, të ekipeve të vajzave dhe duke përmirësuar cilësinë e futbollit në vendin tonë.

Federata Shqiptare e Futbollit është iniciuesja e këtij projekti dhe në bashkëpunim me FIFA-n do të mbështesin financiarisht realizimin e tij. FSHF do të mundësojë bazën materiale falas, transportin e ekipeve në ‘Shtëpinë e Futbollit’ në ditët e ndeshjeve, si edhe ambulancat gjatë ndeshjeve të mini-turneve.

Sakaq, do të zhvillohen në total tre mini-turne në vit, teksa i pari do të organizohet në muajt nëntor-dhjetor 2023, i dyti në muajt shkurt-mars-prill 2024 ndërsa turneu final në muajin qershor 2024.

Një lajm i shkëlqyer për futbollin e vajzave, me FSHF-në që e ka një nga prioritetet kryesore të saj në strategjinë ‘Futbolli për Kombin 2022-2025’.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat